‘Para se të na sanksiononte, shkoi te … Meloni’/ Tentohet të ndalohet transmetimi i ‘Report’, reagon Ranucci
Sot, më 2 nëntor 2025, në Itali ka shpërthyer një debat i fortë mbi lirinë e shtypit dhe pavarësinë e medias publike.
Anëtari i Autoritetit Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Garante per la Privacy), Agostino Ghiglia, ka dërguar një paralajmërim ligjor kundër redaksisë së emisionit investigativ “Report” në Rai3, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të transmetimit të puntatës së planifikuar për mbrëmjen e sotme.
Ghiglia pretendon se në këtë reportazh janë përdorur të dhëna personale të marra në mënyrë të paligjshme, përmes shkeljes së korrespondencës private, dhe kërkon që materiali të hiqet nga rrjetet sociale dhe të mos transmetohet në televizion. Ai ka njoftuar gjithashtu se i ka dhënë mandat avokatëve të tij për të verifikuar nëse janë kryer shkelje penale dhe për të ndërmarrë veprime ligjore të tjera.
Në qendër të çështjes është një reportazh i “Report”, i cili tregon vizitën e Agostino Ghiglia-s në selinë e partisë Fratelli d’Italia, një ditë para se Autoriteti i Privatësisë të vendoste një gjobë prej 150 mijë eurosh ndaj programit për publikimin e një audioje telefonike midis ish-ministrit Gennaro Sangiuliano dhe bashkëshortes së tij, gazetares së Rai-t Federica Corsini.
Megjithë paralajmërimin ligjor të Ghiglia-s, Rai ka konfirmuar se puntata do të transmetohet. Sipas televizionit publik, nuk ekziston asnjë urdhër gjyqësor që ta pengojë transmetimin, dhe ndalimi i tij do të sillte akuza për censurë si dhe dëme ekonomike për kompaninë.
Në një komunikim për gazetaren Alba Kepi, drejtuesi i “Report”, Sigfrido Ranucci, ka komentuar rastin duke thënë:
“Ghiglia, përfaqësues i Autoritetit të Privatësisë, para se të na sanksiononte, shkoi për vizitë te Arianna Meloni, motra e kryeministres Giorgia Meloni. Ne e kemi zbuluar këtë dhe e kemi dokumentuar në reportazh.”
Opozita italiane ka reaguar menjëherë, duke kërkuar dorëheqjen e Ghiglia-s dhe duke e akuzuar atë për konflikt interesi dhe tentativë për censurë ndaj shtypit të lirë.