Jo më kot është 'mbretëresha e Halloween-it'/ Heidi Klum zbulon sa orë dhe njerëz u deshën për kostumin e saj
Heidi Klum zbuloi se iu desh pothuajse gjysma e një dite për t’u transformuar në krijesën mitike Medusa, për festën e saj epike “Halloween 2025”.
Supermodelja dhe bashkëshorti i saj, Tom Kaulitz, i cili ishte veshur si një luftëtar i kthyer në gur nga Medusa, kaluan plot 10 orë duke u përgatitur për sjelljen në jetë të personazheve të tyre dhe nisën përgatitjet për eventin që para mesditës, treguan ata për “E! News”.
“Çdo gjë është e pikturuar me dorë”, tha modelja për kostumet, duke shtuar: “Rreth 15 persona kanë punuar për këtë dhe mendoj se kanë bërë një punë fantastike.”
Heidi pranoi se pamja e çmendur, që përfshinte lente si sy gjarpërinjsh të gjelbër, një gjuhë gjarpri, dhëmbë të mprehtë dhe gjarpërinj mekanikë që lëviznin mbi kokën e saj, i kishte ardhur ndër mend shumë kohë përpara se ta zbulonte publikisht.
“Kam menduar për Medusa-n prej disa kohësh, sepse ndër vite kam parë shumë versione të saj, dhe thashë: ‘Një ditë do ta bëj versionin tim’”, u shpreh modelja.
Ajo theksoi: “Doja që gjarpërinjtë të lëviznin vërtet, që fytyra të ishte shumë e frikshme dhe shumë e shëmtuar, me dhëmbë të tmerrshëm, si një gjarpër i gjatë helmues.”
Tom, 36 vjeç, tregoi se çifti ndonjëherë e ka të vështirë të gjejë ide për kostumet e tyre të përbashkëta, të cilat ndër vite kanë përfshirë: alienët identikë E.T., një krimb dhe një peshkatar, si edhe Shrek dhe Fiona, nga saga e filmave të animuar.
“Gjithmonë duhet të gjejmë diçka që përputhet”, tha ai, duke iu referuar kostumeve të tyre që çdo vit bëhen virale.
Modelja publikoi në rrjetet sociale disa orë përpara zbulimit të madh, pamje nga procesi i transformimit të saj befasues.
Heidi kishte premtuar më herët se kostumi i këtij viti do të ishte “jashtëzakonisht i shëmtuar”.
“Do jem shumë e shëmtuar, sepse gjithmonë përpiqem të bëj diçka ndryshe”, u shpreh ajo për People një javë para Halloween-it.
Në gusht, modelja rrëfeu në një intervistë me Jimmy Fallon se kishte nisur përgatitjet për festën e saj të preferuar dhe duhet thënë: Nuk zhgënjeu!