Genoa ndahet me Vieira-në, Criscito në stol kundër Sassuolos

Lëvizje e fortë në pankinën e Genoas. Pas takimeve së të premtes mes drejtorit të ri sportiv Diego Lopez (ende jo zyrtar) dhe Patrick Vieira-s, dukej se klubi do t’i jepte trajnerit francez edhe një shans tjetër. Megjithatë, situata mori kthesë të papritur: palët u ndanë menjëherë dhe ishte vetë Vieira që vendosi të tërhiqej, pasi nuk ndihej më i bindur të vazhdonte.

Në njoftimin zyrtar të klubit thuhet:

“Genoa CFC komunikon se Patrick Vieira nuk është më trajneri i skuadrës së parë. Klubi falënderon trajnerin dhe stafin e tij për seriozitetin dhe profesionalizmin e treguar gjatë punës së tyre dhe u uron suksese në karrierën e ardhshme profesionale. Drejtimi teknik i skuadrës së parë i është besuar përkohësisht Roberto Murgita-s, i ndihmuar nga Domenico Criscito.”

Kështu, zgjidhja e përkohshme për ndeshjen ndaj Sassuolos do të jetë brenda shtëpisë, me Criscito-n dhe Murgita-n që do të udhëheqin ekipin. Criscito ka drejtuar edhe seancën stërvitore të ditës së sotme.

Ndërkohë, drejtuesit e Genoas kanë filluar të shqyrtojnë kandidatë për bankinën: mes emrave që qarkullojnë janë Paolo Vanoli, Daniele De Rossi dhe Luca Gotti.

Genoa gjendet në vendin e fundit me vetëm tri pikë pas nëntë javësh, me bilanc prej tri barazimesh dhe gjashtë humbjesh, e fundit ndaj Cremonese-s në shtëpi. Vieira mori drejtimin e klubit më 21 nëntor 2024, duke zëvendësuar Alberto Gilardinon.

Revolucion te “rossoblù”: pas largimit të drejtorit sportiv Ottolini, tani vjen edhe ndryshimi në stol, teksa klubi kërkon të ringrihet dhe të shmangë krizën.