Zaniolo vendimtar kundër Atalantës, Udinese parakalon ‘bergamaskët’ në renditje

Java e dhjetë e Serie A nisi me një fitore të rëndësishme për Udinesen, e cila triumfoi 1-0 në “Bluenergy Stadium” ndaj Atalantës. Skuadra friulane siguroi tri pikë të çmuara falë golit të Nicolò Zaniolo-s në minutën e 40-të.

Aksioni që vendosi ndeshjen erdhi nga këmbët e Kamara-së, i cili shërbeu në zonë për ish-‘yllin’ e Romës; Zaniolo nuk gaboi dhe realizoi golin e tij të dytë radhazi, pas atij kundër Juventusit në mesjavë.

Pavarësisht ndryshimeve në repartin ofensiv, Atalanta e Igor Juric nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës, duke zhgënjyer në fazën e fundit të sulmit. Me këtë rezultat, Udinese e trajnerit Kosta Runjaic ngjitet në kuotën e 15 pikëve, duke parakaluar pikërisht “Dea”-n në tabelë dhe duke marrë një sukses të rëndësishëm në garën për zonën e sipërme të klasifikimit.

Për Atalantën, ky është një hap fals që e largon nga objektivat e saj, ndërsa Udinese vazhdon momentin pozitiv dhe afirmon forcën e saj në shtëpi.