VIDEO/ Bashkia e Kamzës rrit çmimin e biletës së urbanit, qytetarët kundër: E papërballueshme

Duke nisur nga kjo e shtunë, qytetarët të cilët përdorin linjat urbane të bashkisë Kamzë, do të paguajnë më tepër. Kjo për shkak të vendimit të këshillit bashkiak Kamzë, që mban datën 29 shtator, që konsiston në rritjen e çmimit të biletës nga 40 në 50 lekë si dhe rritjen e çmimit të abonesë. Vet qytetarët shprehen se një vendim i tillë është i padrejtë dhe se i rëndon edhe më tepër xhepat e tyre. 

Nga SYRI TV

Qytetarët që përdorin linjat urbane të bashkisë Kamëz, nga kjo e shtunë do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që është aktualisht. Vendimi është marrë që në mbledhjen e këshillit bashkiak të datës 29 shtator, ndërkohë që siç theksojnë qytetarët, ata nuk kanë qenë aspak në dijeni të një vendimi të tillë

Për rritjen e çmimit të biletës, Këshilli Bashkia i Kamzës ka marrë në konsideratë kërkesën e operatorit privat, por nuk është marrë pëlqimi i qytetarëve, të cilët tashmë do të duhen të përballen me tarifë të shtuar për të udhëtuar.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rritjen e abonesë mujore për këto linja, nga 1,200 lekë në 1,400 lekë, një rritje prej 200 lekësh ose rreth 17%.