Shqipëria-vendi i Kadaresë

Ka një zell të tepruar të disave, ndoshta strategji, për të goditur periodikisht Ismail Kadarenë. Një tentativë për ekzekutim publik të karakterit, të një prej shqiptarëve më të shquar të kohës, pjesës më të rëndësishme të kulturës kombëtare, majën e saj më të lartë. Kadare me ekzistencën, veprën dhe qëndrimet e tij ka formësuar më mirë se kushdo tjetër shqiptarin e kohës, orientimin perëndimor të kombit tonë dhe ka sfiduar shumë prej atyre që nuk e duan qartësimin tonë mbi të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen. Publikimi i copëzave të jetës së tij, të nxjerra nga konteksti, janë pjesë e manipulimit publik, e tjetërsimit të imazhit të tij, për t'i ulur influencën dhe peshën e fjalës. Veçse kanë harruar diçka - veprimtaria e disa njerëzve si Kadareja, tejkalon kohën dhe vendin ku jetuan - kombet kanë mençurinë të ruajnë dhe çmojnë figurat që i japin mendje dhe nder.

Në këtë prizëm, një letër e tij drejtuar diktatorit Hoxha, në vitin '80, shpërndarë këto ditë në mediat online, nuk ia ul madhështinë. Përkundrazi. Ajo letër nxjerr në pah kushtet në të cilat ka punuar, mungesën e lirisë dhe preokupimin e shkrimtarit për krijimtarinë. Një përpjekje për t'i përkëdhelur sedrën një paranoiku vrastar pushteti, ta përdorte kundër langojëve të zgjidhur të partisë, të etur të kafshonin çdo intelektual të vërtetë. Një përpjekje për t'i qetësuar se ishte njeriu i tyre, për t'u distancuar nga një i afërmi i tij i vëzhguar nga organet represive të regjimit për kushedi çfarë qëllimi. Kohë të tmerrshme ku profesionisti i ndershëm nuk  di si të reagojë, kur shteti sillet si bandë që ngjall pasiguri, kur njeriu ndjehet i pafuqishëm të mbrojë veten dhe të tijët, që nuk ishte çudi të përdoreshin në ato kohëra edhe nga sigurimi i shtetit, i specializuar në skenare implikimi familjar për burgime dhe eleminime oponentësh, shkrimtarësh, artistësh dhe njerëzish të thjeshtë.

Ai regjim barbar nuk njihte moral, ndershmëri dhe atdhetari. Eleminimet e njerëzve të njohur nga vitet '40 derisa ra diktatura, ishin pjesë e ritualit të spastrimit të vendit nga çdo potencial, çdo personalitet i pavarur. Sjelljet e njerëzve të marrë peng nga regjimi duhen kuptuar në atë kontekst. Letra duhet parë jo si adhurim masoviku partie, por si e një krijuesi të vetëdijshëm për gjenialitetin e tij, që e kishte zënë halli me ta dhe duhej të shpëtonte krijimtarinë dhe të mbante në jetë krijuesin e saj. Një letër për të shpëtuar një vepër. Me këtë qëndrim i siguroi vendit një trashëgimi të vyer.

Diabolizmi i diktaturave dhe ushtarëve të tyre qëndron edhe tek asocimi me personalitetet e shquara që jetuan dhe krijuan në ato regjime. Duan t'i japin kohës sensin e normalitetit, duke evokuar gjenialitetin e njerëzve që ua nxinë jetën, për sa kohë kishin pushtetin mbi ta. Kadare i pret rrugën çdo spekullimi në këtë drejtim. Në rastin e parë që iu dha mundësia të jetonte në liri, ai e tregoi se çfarë mendonte për atë regjim, për E. Hoxhën me kompani. Reflektimet e Kadaresë janë një goditje e madhe dhënë bolshevizmit dhe shumë të tjerëve që nuk janë ndarë ende nga krimet e tij. Kjo tregon se një intelektual të vërtetë mund ta mbash nën vëzhgim për një kohë por në fund ai triumfon, nuk bëhet palë e historisë kriminale të regjimeve barbare.

Në mënyrën e tij e kishte bërë këtë edhe kohë më parë, me veprën e shkruar nën diktaturë. Studiuesi i letërsisë së krahasuar, profesori i Universitetit të Bukureshtit, Luan Topçiu, në librin e tij "Tradita moderne në letrat shqipe" (Sh.B. Zenit, Tiranë, 2010) e analizon edhe pozicionimin letrar të Kadaresë në totalitarizëm. Sipas tij, ndonëse proza e Kadaresë u shkrua nën diktaturën e Hoxhës, aty goditej pareshtur ai sistem, "jo në mënyrë të drejtpërdrejtë (modalitet që do të rrezikonte dhe vlerat estetike të veprës), por në mënyrë oruelljane". Sipas tij, Kadare kuptohet jo përmes propagandës, ideologjikes dhe gazetareskes por përmes letrares dhe universales.

Ky intelektual markant, një ndër tre shqiptarët më gjenialë të kohës tonë, bashkë me Nënë Terezën dhe Ibrahim Rugovën, i bëjnë nder racës tonë. Ata janë majat tona, investimet shqiptare në patrimonin universal të kulturës, humanizmit dhe politikës. Falë tyre ndjehesh krenar që je shqiptar. Falë tyre ne si komb marrim një përmasë globale. Ndoshta një ditë në të ardhmen do njihemi si vendi i Kadaresë. Nuk janë të paktë ata që na quajnë të tillë edhe sot. Ky është një ogur i mbarë. Historia jonë moderne simbolizohet më së miri me rrugëtimin e tij. Aty gjendet projeksioni ynë, i një kombi që del nga robëria dhe shkon drejt lirisë, niset nga Lindja dhe ankorohet në Perëndim, mbijeton me sakrifica dhe krijon një vlerë unikale për qytetërimin tonë europian, duke zënë një vend të nderuar në familjen e kombeve të botës.