Maduro kërkon ndihmë ushtarake nga Rusia, Kina dhe Irani mes tensioneve me SHBA

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka kërkuar ndihmë nga Moska, Pekini dhe Teherani në kulmin e krizës me Shtetet e Bashkuara, raporton Washington Post. Sipas gazetës amerikane, Maduro i ka dërguar një letër presidentit rus Vladimir Putin me disa kërkesa konkrete, mes të cilave përfshihet përmirësimi i sistemeve të radarëve mbrojtës, riparimi i avionëve ushtarakë dhe, në mënyrë të mundshme, furnizimi me raketa.

Gjithashtu, qeveria venezueliane i është drejtuar Kinës dhe Iranit për mbështetje ushtarake. Në letrën dërguar presidentit kinez Xi Jinping, Maduro ka propozuar një “bashkëpunim ushtarak” mes dy vendeve për të përballuar “përshkallëzimin e tensioneve mes SHBA-ve dhe Venezuelës”.

Këto zhvillime vijnë në të njëjtën kohë kur Wall Street Journal raportoi se Donald Trump po mendon një ndërhyrje të mundshme ushtarake kundër Venezuelës, duke e akuzuar vendin e Amerikës Latine për “eksport të drogës dhe kriminelëve” drejt SHBA-së pretendime që vetë Trump i ka mohuar.

Ndërkohë, Komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka dënuar sulmet ajrore të administratës amerikane kundër anijeve në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor, duke i cilësuar “të papranueshme” dhe duke kërkuar nisjen e një hetimi ndërkombëtar.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Jorge Rodríguez, deklaroi se “qëllimi i Shteteve të Bashkuara është të marrin nën kontroll burimet natyrore të Venezuelës”. Ai shtoi se dislokimi ushtarak amerikan “nën pretekstin e luftës kundër trafikut të drogës është i tepruar dhe barbar”, duke theksuar se “kërcënimi amerikan nuk i drejtohet vetëm Venezuelës, por të gjithë vendeve të Karaibeve.”