Balluku nën hetim pa masë sigurie, Këlliçi: Hetimi i zv/kryeministres konfirmon denoncimet publike të PD
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas marrjes nën hetim nga SPAK të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për akuzën e ‘shkeljes së barazisë në tendera’.
SPAK njoftoi sot se ka marrë nën hetim Ballukun, por pa sqaruar nëse ndaj saj është vendosur ndonjë masë sigurie, duke shkaktuar reagime të shumta për mënyrën e trajtimit të çështjes.
Belinda Balluku u mor sot si e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me procedurën e ndërtimit të tunelit të Llogarasë.
Reagimi i deputetit demokrat nuk ka munguar, duke theksuar se kjo akuzë ‘vetëm sa i konfirmon denoncimet publike të Partisë Demokratike për figurën numër 2 të qeverisë në pushtet, gruan me më shumë pushtet pas Edi Ramës dhe njëkohësisht të dytën më të korruptuar në Shqipëri pas Edi Ramës!’.
Sipas Këlliçit, ‘Edi Rama është në kushtet kur ka një ish kryebashkiak të Tiranës në burg dhe tashmë zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë të pandehur nga SPAK! Ai nuk ka më asnjë justifikim moral, politik apo ligjor për të mbajtur të uzurpuar zyrën e kryeministrit.’
Deputeti i PD-së shton më tej se ‘Prokuroria e Posaçme nëse do të rifitojë sadopak besueshmërinë në sytë e publikut, duhet të ketë guximin të shkojë tek kreu i atij që qartësisht po dëshmohet një grup i strukturuar kriminal, me në krye Edi Ramën. Asnjë mendje e shëndoshë nuk mund të mendojë se hajdutët rrotull tij mund të vjedhin pa lejen, strukturimin dhe planin e kreut të organizatës.’
Në përfundim, Këlliçi deklaron se ‘Shqipëria meriton të çlirohet njëherë e mirë nga kjo klikë zhvatësish!’