Pas 7 orësh përfundon seanca në Gjykatën Kushtetuese, Erion Veliaj me pranga kthehet në qelinë e Durrësit
Pas më shumë se 7 orësh diskutimesh, seanca në Gjykatën Kushtetuese ku u shqyrtua ankimi i Erion Veliajt ndaj vendimit për shkarkimin e tij nga detyra si kryebashkiak i Tiranës.
Veliaj mori pjesë personalisht në seancë, për herë të parë që prej 10 shkurtit, kur u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ai la qelinë e paraburgimit për t’u paraqitur përpara trupës gjykuese.
Ai u paraqit sot në Gjykatën Kushtetuese me pranga në duar, ku ka lëshuar një mori akuzash për arrestimin dhe shkarkimin e tij. Adresuar Edi Ramës dhe Këshillit Bashkiak, Veliaj e ka cilësuar tradhëti shkarkimin dhe arrestimin e tij. Ish-kryebashkiaku u shpreh se persekutimi i tij është një rrëshkitje e demokracisë drejt shtetit të frikës, e për këtë përgjegjës bën direkt Kryeministrin si firmosës së shkarkimit dhe Prokurorinë që e izoloj bazuar mbi letra anonime dhe shkelje të prezumimit të pafajsësisë.
I shoqëruar nga forca të shumta policie, ish-kryebashkiaku u transportua me furgonin e Drejtorisë së Burgjeve nga paraburgimi i Durrësit drejt Gjykatës Kushtetuese rreth orës 09:00 të mëngjesit, ku zhvilloi përballjen ligjore me qeverinë dhe Presidencën, të cilat mbrojnë vendimin për shkarkimin e tij.
Seanca u zhvillua me dyer të hapura për publikun dhe zgjati 7 orë, për shkak të debatit mbi procedurat ligjore të ndjekura në procesin e shkarkimit.
Pas përfundimit të seancës rreth orës 17:00, Erion Veliaj u shoqërua sërish nën masa të rrepta sigurie drejt burgut të Durrësit, ku po mbahet në paraburgim që prej arrestimit të tij.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të shpallet në ditët në vijim.