Bashkia Kamëz rrit çmimin e biletës së transportit publik në 50 lekë, ndryshon edhe çmimi i abonesë

Bashkia e Kamzës ka vendosur të rrisë tarifat e transportit publik për qytetarët. Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli Bashkiak një muaj më parë dhe të publikuar sot në faqen zyrtare të bashkisë, çmimi i biletës së udhëtimit do të rritet nga 40 lekë në 50 lekë.

Rritje do të ketë edhe për abonimet mujore. Tarifa e abonese për qytetarët e Kamzës do të jetë 1,400 lekë, ndërsa aboneseja e përgjithshme do të kushtojë 1,600 lekë.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi pas miratimit nga prefekti i qarkut Tiranë, i cili është hapi i fundit ligjor për zbatimin e tij.

Sipas njoftimit të bashkisë, ky ndryshim vjen si pasojë e rritjes së kostove të mirëmbajtjes dhe operimit të transportit publik, megjithëse vendimi ka ngjallur reagime të ndryshme nga qytetarët, të cilët e konsiderojnë rritjen e çmimit si një barrë shtesë për familjet me të ardhura të ulëta.