Belinda Balluku zyrtarisht e pandehur, detajet

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku është zyrtarisht e pandehur e Prokurorisë së Posaçme. Prokurori Dritan Prençi I komunikoi akuzën për shkelje të barazisë në tendera e kryer në bashkëpunim.

Balluku është marrë e pandehur për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH. 

Burimte bëjnë me dije se krahas tunelit të Llogarasë, ka një hetim të zgjeruar për tenderat e rrugëve dhe prokurorët kanë dyshime të arsyeshme dhe të bazuara edhe në prova se Balluku është e përfshirë në shkelje të barazisë në tendera.

Bëhet fjalë për tendera ku kompanitë fituese kanë qenë të paracaktuar dhe nën akuzë e gjykim tanimë janë njerëz të besuar e bashkëpunëtorë të saj e të tjerë që janë duke u hetuar.

Ndër ta, Evis Berberi një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë dhe Gentan Gjyli që gjithashtu ndodhet nën akuzë dhe po gjykohet në GJKKO.

Para se Balluku të paraqitej në SPAK në orën 15:10 të ditës së sotme ka patur një sërë kontrollesh ku janë ushtruar kontrolle ndaj njerëzve të besuar dhe bashkëpunëtorë të znj.Balluku, ata që lidhen me kabinetin e zyrtarë të institucioneve.

Çfarë deklaroi Balluku? 

“Në respekt të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e prokurorisë së posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Shqipërisë edhe zyrtare publike e shikoj si një proces, një proces si cili jam shpresëplotë që do jetë i bazuar mbi transaprencë dhe mbi parimet drejtësisë teke cila besoj”, tha Balluku.