Marrëdhënia midis denoncimit - kritikës dhe ndërtimit - propozimit
Nga Andi Mustafaj/
Qasja që një popull ka me veten është një element kyç për zhvillimet e shoqërisë dhe shtetit. Po të marrim Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shembull, besimi i palëkundur që ata kanë në veten e tyre, në forcën ndryshuese të popullit të tyre, në aftësinë që kanë për të prirë politikën botërore shpjegon zhvillimin gjithmonë e më të madh të tyre.
Nëse do dilnin nga shtëpia e tyre në mëngjes duke thënë “sa keq jemi”, “sa të dobët jemi”, “asgjë nuk ndryshohet”, gjasat që ata të jenë shteti që ne njohim do ishin të vogla.
Për t’ju rikthyer Shqipërisë, qasja pozitive ndaj vetes dhe besimi që ne mund të ndryshojmë gjërat është një takim i humbur i shoqërisë sonë me Historinë. Brenda qytetarëve ekziston një bindje e thellë se realiteti i momentit është i pandryshueshëm dhe si pasojë pak e nga pak ata kanë preferuar të bëhen pjesë e tij, si rrugë e shkurtër, si rrugë qetësuese përballë asaj së rezistencës ndaj regjimit.
Kjo apati ose pranim i heshtur është amplifikuar nga politika polarizuese e një qeverie e cila nuk i dha asnjëherë asnjë zë atyre që nuk dëshironte të dëgjonte, duke harruar kështu që zërin nuk ja jep për dëshirë, por për detyrë sepse ajo nuk drejton vetëm ata që e kanë votuar por të gjithë qytetarët e vendit. Si e tillë, regjimi nuk u bë kurrë mbrojtës ekuilibrash por krijues thyerjesh.
Në këtë rrugë, përballë padrejtësive të regjimit dhe apatisë së shoqërisë, negativiteti filloi të prek pak e nga pak edhe opozitën. Siç e pamë më sipër, ajo u detyrua të kryej çdo rol, edhe atë të trupave të ndërmjetëm duke humbur pak koherencën e veprimtarisë së saj.
Në këtë rrugë ajo u zhyt në denoncimet dhe kritikat ndaj qeverisë. Sigurisht, denoncimi është oksigjeni i opozitës. Pa të, nuk ka opozitë. Protestat, zbulimi i skandaleve, ngritja e zërit kundër padrejtësive janë thelbësore në një vend ku pushteti është kthyer në pushtues të hapësirës publike dhe private.
Por nëse mbetesh vetëm aty, atëherë oksigjeni shndërrohet në helm. Shpirti i revoltës është i nevojshëm, por nuk mjafton. Ai është si një pasqyrë: pasqyron vetëm atë që sheh përballë. Për ta kthyer këtë reflektim në një horizont të ri, për ta shtuar në pafundësi lojën e mundësive, duhet një pasqyrë tjetër përballë, ndërtimi, propozimi, vizioni.
Nëse pjesa e popullsisë që përballet me Regjimin, në rastin tonë Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare, kufizohet vetëm tek denoncimi, mbi të bien tre rreziqe të mëdha: legjitimiteti i cunguar, deformimi i brezave dhe mungesa e identitetit politik.
Legjitimiteti i cunguar. Kur protesta dhe denoncimi janë boshti i vetëm, mesazhi që përcillet është: “hajdeni me ne, sepse ata janë të këqinj”. Në këtë rast, emëruesi i përbashkët nuk është PD, as programi i saj, as vizioni i saj por pakënaqësia ndaj qeverisë. Revolta është si ngjitësi që bashkon të gjitha pjesët, por është një ngjitës i brishtë, sepse tretet sapo ndryshon realiteti. Nëse qeveria bie, edhe ngjitësi shkëputet.
PD rrezikon të zbulojë se është më e dobët sesa mendonte, sepse nuk ka ushqyer një mbështetje pozitive që shkon përtej kundërshtimit. Pa shtyllën e ndërtimit, qeverisja e ardhshme do të nisë e nxituar, e papërgatitur, me një legjitimitet të pjesshëm.
Deformimi i brezave. Një brez i tërë demokratësh është rritur vetëm me gjuhën e revoltës. Revolta ka një vlerë të madhe morale, por e vetme prodhon frustrim. Në rrjetet sociale, në sallën e parlamentit, në studiot televizive, shfaqet një model që ngrihet mbi sulmin, mbi denoncimin, mbi përplasjen e ashpër por që shumë shpesh mbetet steril.
Një opozitë që ushqen vetëm revoltën nuk përgatit dot një brez qeverisës. Ajo krijon qytetarë që dinë të bërtasin, por jo të ndërtojnë; deputetë që dinë të akuzojnë, por jo të propozojnë; drejtues që dinë të thërrasin, por jo të qeverisin. Dhe kështu, kur të vijë momenti i marrjes së përgjegjësisë, mungon përgatitja për të drejtuar shtetin.
Mungesa e identitetit politik. Një parti politike jeton e fortë vetëm nëse ka një identitet që i tejkalon rrethanat e momentit. Kur baza e bashkimit është vetëm kundërshtimi i një qeverie, atëherë lind pyetja: çfarë na mban bashkë kur ajo qeveri të bjerë?
Pse jemi ne sot deputetë, drejtues, militantë të PD-së? Shumë prej nesh do të thonin: sepse po luftojmë Rilindjen Socialiste. Por pas rënies së saj, çfarë do të na lidhë? Identiteti politik nuk mund të ndërtohet mbi një armik të përkohshëm, ai ndërtohet mbi një vizion të përhershëm për shtetin dhe shoqërinë. Nëse kjo mungon, atëherë opozita bëhet një turmë e përkohshme që proteston, por nuk një parti që udhëheq.
Partia Socialiste e ka kuptuar këtë mekanizëm dhe e përdor me mjeshtëri: zhduk debatin e ideve dhe e kthen politikën në një arenë personalitetesh dhe përplasjesh individuale. Në këtë terren, PD është e detyruar të luajë me rregullat e kundërshtarit dhe të mbetet peng i revoltës. Në këtë mënyrë, asaj i hiqet mundësia të nxisë përkrahjen pozitive të qytetarëve dhe e gjithë pesha e saj politike kufizohet tek denoncimi.
Në politikë, denoncimi është armë, por nuk është themel. Ai është si drita e vetëtimës që shfaq të keqen, por jo si dielli që ngroh dhe ndriçon udhën përpara. Nëse opozita do të jetë vetëm vetëtimë, ajo do të mbetet gjithmonë e përkohshme, gjithmonë e varur nga errësira.