SYRI TV/ ‘Lahuta e Malcis’, formë të re në Lezhë, shfaqet dramatizimi ‘Eposi Shqiptar’

“Eposi Shqiptar” solli në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë një interpretim të ri të “Lahutës së Malcis”, përmes ndërthurjes së aktrimit, muzikës dhe traditës. Me regji të Kol Kunorës dhe pjesë e Tetorit Fishtjan, shfaqja synon të ringjallë trashëgiminë e Fishtës në një formë bashkëkohore dhe emocionale.

Syri tv

Në Pallatin e Kulturës në Lezhë u vu në skenë dramatizimi “Eposi Shqiptar”, një mënyrë e re artistike për të sjellë “Lahutën e Malcis” të At Gjergj Fishtës. Përmes ndërthurjes së aktrimit, muzikës, kostumografisë tradicionale dhe skenografisë simbolike, krijuesit sollën një përjetim ndryshe të kësaj vepre madhore të letërsisë shqiptare.

Shfaqja, me dramatizim dhe regji të Kol Kunorës u realizua nga aktorët Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, ndërsa Mjeshtri i Madh Pretash Nilaj përcolli tingujt autentikë të lahutës. Regjisori Kol Kunora u shpreh se ky koncept është vetëm fillimi i një cikli të ri prezantimesh të “Lahutës së Malcis”.

Edhe për aktorët, interpretimi i kësaj vepre mbetet një sfidë për nga thellësia e gjuhës dhe emocionit që kërkon, por edhe një mënyrë e denjë për ta ringjallur Fishtën në skenë.

Ky projekt kulturor, pjesë e Tetorit Fishtjan synon të përcjellë trashëgiminë e poetit kombëtar në një formë bashkëkohore dhe të ndjeshme për publikun.