Berisha: U them socialistëve se, nuk është gjë Lubia se ç’do jetë Linda për ju

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat ka lëshuar akuza ndaj kryeministrit Rama, duke e cilësuar regjimin aktual si “narkoshtet që po shkatërron çdo të drejtë kushtetuese”.

Berisha u shpreh se qeveria po i heq opozitës një nga një të gjitha instrumentet demokratike të kontrollit, përfshirë të drejtën e interpelancës, debatit dhe komisioneve hetimore.

Në fjalën e tij, Berisha foli edhe për përçarjet brenda Partisë Socialiste, duke përmendur hapur tensionet mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, ndërsa iu drejtua socialistëve me tone ironike: “Mos u gëzoni shumë me Lubinë, se çfarë do jetë Linda për ju, do ta shihni vetë.”

Sipas liderit të opozitës, vendi ndodhet përballë një regjimi që synon të shuajë çdo formë opozite dhe lirie politike, ndërsa PD siç theksoi aBerisha nuk do të pranojë kurrë të bëhet “stoli e një bande që ka instaluar narkoshtetin në Shqipëri.”

Pjesë nga deklarata:

Ndaj dhe kjo mbledhje është shumë e rëndësishme.
Natyrisht do mblidhen edhe forumet e tjera të PD. PD ka kryesinë, ka këshillin kombëtar.
Por që ne, të na e heqë si me auditin, një nga një të gjithë drejtat kushtetuese, ai është një, po ne nuk jemi një, ne jemi 600 mijë.
Të na heqë të drejtën e interpelancës.
Të na heqë të drejtën e debatit.
Të na heqë të drejtën e komisionit hetimor.
Po pse shkojmë ne aty?
Shkojmë për të thënë se jemi deputetë?
Po çfarë vlere kemi ne kur ne nuk arrijmë, nuk kemi mundësi të përmbushim detyrimet më themelore ndaj zgjedhësve tanë.
Duhet të shtrojmë pyetjen se çfarë vlere kemi ne.
Ne stoli e një bande që ka instaluar një narkoshtet këtu nuk bëhemi.
Nuk mund të bëhemi kurrë.
Për të parë egërsinë e tij, shihni se ç’bën me Erion Veliajn.
Belindës do ia bëjë edhe më zi.
Unë e kam parë që janë gëzuar socialistët me të.
Por u them socialistëve se nuk është gjë Lubia se ç’do jetë Linda për ju.
Po ato janë punët e tyre, nuk na interesojnë fare ne.
Sepse këtu kodi i të drejtave themelore të njeriut nuk ekziston më.