Pse disa vende duken të përndjekura nga fantazmat

Nga Vivian Chung/

Ne shpesh i mendojmë shtëpitë dhe hotelet si hapësira të sigurta e të parashikueshme. Por hyn në një korridor që zgjatet përtej shikimit dhe pulsi të rritet para se të kuptosh pse.

Sipas shkencëtarëve, këto ndjesi nuk janë bestytëni, por mënyra si truri keqinterpreton mjedisin. Arkitektura, përmes mureve, dritës dhe zërit, mund të mashtrojë shqisat tona, duke e kthyer një vend të njohur në diçka të çuditshme e shqetësuese.

Kur hyjmë në një vend të ri, truri fillon menjëherë të krijojë një "hartë të brendshme" të tij, shpjegon Lisa Giocomo, neurobiologe në Universitetin Stanford. Kjo hartë formohet përmes mureve, qosheve dhe pikave orientuese. Pastaj truri i shton përvojat dhe kujtimet tona: një ndërtesë e njohur si restorant, për shembull, nxit pritshmëri të caktuara. Kjo aftësi për të parashikuar se çfarë do të ndodhë më pas është ajo që na bën të ndihemi të sigurt, dhe kur një hapësirë i sfidon këto pritshmëri, ndjesia e sigurisë shembet.

Truri ynë reagon menjëherë ndaj shenjave të kalbjes. Aroma myku, dheu ose pluhuri në një ndërtesë të vjetër sinjalizon rrezik biologjik. "Ato na tregojnë për hapësira të pabanueshme," thotë Beth Tauke, profesore e arkitekturës në Universitetin e Buffalo. Edhe jehona e hapave thekson ndjesinë e vetmisë, ndërsa ajri i ftohtë e i lagësht ngjall asociacione me nëntokën.

Godinat dikur madhështore që janë rrënuar zgjojnë kujtime për vdekshmërinë e neglizhencën. "Kjo zbrazëti narrative e shtyn trurin të shpikë histori për të kuptuar hapësirën, dhe ato shpesh lidhen me rrezik ose humbje," shton Tauke.

Në hapësirat e përndjekura nga fantazmat mungojnë pikat orientuese. Korridore të ngjashme, kthesa të njëjta e mure që përsëriten krijojnë hutim. "Pa pika dalluese ose një fund të dukshëm, truri nuk e di ku ndodhesh," thotë Tauke. Kjo nxit dezorientim të lehtë dhe ndjesinë se diçka s'është në rregull.

Një studim i vitit 2021 tregoi se forma, drita dhe kompleksiteti hapësinor ndikojnë drejtpërdrejt në gjendjen tonë fizike: disa ambiente e rrisin vigjilencën. Arkitektët e kanë shfrytëzuar këtë efekt, qoftë në pasqyra dezorientuese si në Pallatin e Versajës, qoftë në boshllëqet e ftohta të ndërtesave brutaliste.

Përsëritja e elementeve në hapësirë shton ndjesinë e "jo të zakonshmes", një version hapësinor i efektit lugina e mistershme. Edhe ndriçimi i njëtrajtshëm apo heshtja e plotë e zbehin ndjenjat e thellësisë, duke krijuar atmosferë "të gabuar".

Sistemi ynë i orientimit mbështetet në qëndrueshmëri. "Kur diçka bie ndesh me pritjen, një fund i papritur ose mure që duken se lëvizin ndryshe nga ndjesia e trupit, sjell shqetësim dhe pasiguri," thotë Giocomo.

Hapësirat që na duken të përndjekura nga fantazmat shfrytëzojnë pikërisht këtë mekanizëm: korridore që kthehen në vetvete, shkallë që zhduken në errësirë, simetri e përsosur që huton trurin. Shkallët që zbresin në terr, sipas Taukes, "përfaqësojnë zbritjen në të pavetëdijshmen ku fshihen frikërat." Errësira e zbehtë mashtron sytë dhe sistemin e ekuilibrit, duke krijuar konflikte midis asaj që shohim dhe ndiejmë. Ky "gabim parashikimi" rrit vigjilencën dhe rrahjet e zemrës.

Sistemet tona primitive të mbijetesës janë ndërtuar për të zbuluar rrezikun dhe për të kërkuar strehë, dhe vendet "e frikshme" i prekin pikërisht këto instinkte.

Hapësirat e mëdha e të zbrazëta, si sallat e ballove apo atriumet, ngjallin pasiguri sepse truri vështirëson vlerësimin e shkallës dhe të kërcënimeve të mundshme. Edhe jehonat e shumëfishojnë këtë efekt. Në të kundërt, hapësirat e ngushta nxisin stres sepse trupi ndien mungesë rrugësh arratisjeje, një reagim që ka rrënjë evolutive.

Ky refleks lidhet me teorinë streha perspektive, sipas së cilës njerëzit preferojnë vende që ofrojnë një pamje të gjerë dhe një strehë të sigurt. Shkallët mishërojnë këto ndjenja të lashta: pjerrësitë përkujtojnë humnerat, kthesat fshehin "grabitqarët" e imagjinuar, mungesa e parmakëve sugjeron rrezik. Në zbritje ndiejmë humbje kontrolli, por në fund, sapo truri gjen qëndrueshmërinë, ndiejmë lehtësim.

E njëjta gjë ndodh në dhomat pa dritare: pa pamje nga jashtë, humbasim orientimin në kohë e hapësirë. "Këto hapësira krijojnë ndjenjën e shkëputjes nga bota, duke shtuar ndjesinë e mbylljes apo ankthin," thotë Sina Esteky, profesor në Universitetin e Miamit.

Sot, arkitektët dhe neuroshkencëtarët po i përdorin këto zbulime për të ndërtuar ambiente që ndikojnë pozitivisht te gjendja emocionale, spitale qetësuese, stacione të dizajnuara për rehati, apo zyra që minimizojnë mbingarkesën shqisore. Po të njëjtat parime që e bëjnë një korridor të duket ogurzi mund ta bëjnë një dhomë të ndihet e sigurt. / National Geographic - Syri.net