'Më rrëmbyen nga zyra ime dhe më mbyllën në qeli'/ Veliaj mashtron sy më sy Kushtetuesen
Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në Gjykatën Kushtetuese, ku ka dhënë deklarata lidhur me mënyrën e ndalimit të tij. Ai është shprehur se është “rrëmbyer nga zyra” dhe “mbyllur në një qeli me logjikë burgosjeje më të rëndë sesa të vrasësve serialë”.
“Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta. Beteja ime për t’u dëgjuar para jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese për të thënë të drejtën, për t’u dëgjuar çfarë paskam bërë që jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një qeli me një logjikë burgosjeje apo shoqërimi më të rëndë sesa të vrasësit serial,” tha Veliaj në fjalën e tij.
Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe ka përjetuar “shkelje të të drejtave themelore” dhe “përpjekje për denigrim”, duke e konsideruar rastin e tij si një “përçmim ndaj votës së qytetarëve dhe forcës së demokracisë”.
Nga ana tjetër, burime zyrtare sqarojnë se ndalimi i Veliajt është kryer në përputhje me procedurat ligjore dhe se ai është shoqëruar pa përdorimin e prangave. Ky detaj është bërë pjesë e debatit publik pas deklaratave të tij, me interpretime të ndryshme mbi mënyrën e trajtimit dhe komunikimit të ngjarjes.
Veliaj, që më herët ka mbështetur reformën në drejtësi dhe ka vlerësuar punën e institucioneve të saj, u shpreh se “asnjë përpjekje për të heshtur zërin e qytetarëve nuk mund të ketë sukses”.
Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë çështjen në vijim, ndërsa vëmendja e opinionit publik mbetet e lartë për ecurinë e procesit dhe vendimin përfundimtar.
“Kam pritur 9 muaj për këto 9 minuta. Beteja ime për t'u dëgjuar para jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese për të thënë të drejtën, për t'u dëgjuar çfarë paskam bërë që jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një qeli me një logjikë burgosjeje apo shoqërimi më të rëndë sesa të vrasësit serial.
Kam sot më shumë policë në Gjykatën Kushtetuese seç kam avokatë.
Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj republike, por mbi të gjitha një periudhë denigrimi dhe për t'u hequr zëri i një të përzgjedhuri tri herë radhazi të qytetarëve të Tiranës.
Kjo nuk është thjesht një përpjekje për të më denigruar mua, ky është një përçmim, një neveri ndaj votës, ndaj gjësë më të çmuar që ka demokracia.
Përçmimi ndaj saj është përçmimi ndaj forcës që kanë qytetarët. Është një përçmim ndaj fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij”, tha Veliaj.