Shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës në fije të perit/ Ja çfarë po ndodh në Gjykatën Kushtetuese

Një debat i thelluar juridik mbi interpretimin e ligjit për vetëqeverisjen vendore ka dominuar seancën gjyqësore për shqyrtimin e një rasti shkarkimi të një kryetari bashkie, duke vënë në qendër të diskutimit kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur.

Në thelb të çështjes qëndron neni 62, pika 'c' i ligjit 139/2015, i cili parashikon shkarkimin e kryebashkiakut për “mosparaqitjen në detyrë për një periudhë tre mujore të pandërprerë”. Gjatë seancës, trupi gjykues ka ngritur pyetje thelbësore mbi këtë dispozitë, duke vënë në dyshim nëse ajo përmban një mangësi ligjore, pasi nuk specifikon nëse mosparaqitja duhet të jetë e vullnetshme dhe pa shkaqe objektive për të justifikuar një masë kaq drastike siç është shkarkimi.

Përfaqësuesi ligjor i palës kërkuese argumentoi se ky nen nuk duhet lexuar i shkëputur, por në harmoni me frymën e nenit 115 të Kushtetutës, i cili e lidh shkarkimin e të zgjedhurve vendorë vetëm me “shkelje të rënda” të Kushtetutës ose ligjeve. Sipas mbrojtjes, mosparaqitja në detyrë mund të konsiderohet shkelje e rëndë vetëm kur ajo kryhet me vullnet të plotë dhe me faj, dhe jo kur ekzistojnë shkaqe objektive që e pengojnë zyrtarin.

Një tjetër pikë kyçe e debatit ishte koncepti i “të qenit në detyrë”. Mbrojtja argumentoi se ushtrimi i detyrës nuk kufizohet domosdoshmërisht me praninë fizike në zyrën e bashkisë. Sipas tyre, kryerja e veprimeve administrative, siç është nënshkrimi i akteve të domosdoshme edhe gjatë një periudhe izolimi apo paraburgimi, duhet të konsiderohet si ushtrim i funksionit. Kjo, sipas tyre, e bën të pazbatueshëm shkakun e “mosparaqitjes” në rastin konkret.

Megjithatë, u pranua se ushtrimi i mandatit të një kryebashkiaku në kushte të kufizuara, siç është masa e sigurisë “arrest me burg”, është tejet i limituar dhe nuk mund të barazohet me ushtrimin e plotë të detyrës në liri, që përfshin edhe marrëdhënien e drejtpërdrejtë me qytetarët. Mbrojtja theksoi se masa e sigurisë në vetvete ishte joproporcionale, duke pasur parasysh rëndësinë e funksionit dhe mandatin e marrë nga zgjedhësit.

Në përfundim, pala kërkuese pretendoi se standardi kushtetues i “shkeljes së rëndë” duhet të aplikohet për të gjitha rastet e shkarkimit të parashikuara në ligj, përfshirë ato të mosparaqitjes në detyrë, duke kërkuar që gjykata të interpretojë ligjin në përputhje me Kushtetutën. Ky interpretim mund të krijojë një precedent të rëndësishëm për rastet e ardhshme të shkarkimit të zyrtarëve të zgjedhur.

Zbardhja e pyetje-përgjigjeve:

Kreu i Kushtetueses, Holta Zaçaj: Dakord. Mirë. Siç është procedura, po i kalojmë fjalën gjyqtares relatore për pyetje. Kur të përgjigjeni për pyetjet, do përgjigjeni nga vendi, po të mos ngrihemi në këmbë. Faleminderit.

Gjyqtarja Sonila Bejtja: Faleminderit zonja kryetare. Unë kam disa pyetje, edhe pse nga fjala e mbajtur nga kërkuesi, jam e qartë në lidhje me si e sheh shkarkimin e tij. Nuk kam ëh, dilema. Por do të doja për avokatët, të bëja dy-tre pyetje. A mendoni ju se neni 62/c i ligjit 139/2015, në përcaktimin e tij, propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitjen në detyrë për një periudhë tre mujore të pandërprerë, përmban një ometim për faktin që nuk përcakton një lidhje objektive apo subjektive të kësaj mosparaqitje? Kjo është pyetja e parë.

Avokati i Veliaj: I nderuar, qëndrimi ynë me nenin, në lidhje me nenin 62, gërma C, të ligjit 139 për vetëqeverisjen vendore, është që ekziston mundësia që ky nen të interpretohet në frymën e nenit 115 të Kushtetutës dhe për këtë arsye të mbahet gjallë. Ne nuk kemi ardhur para Gjykatës me pretendimin që ne konstatojmë ekzistencën e një neni antikushtetues. Ne mendojmë që për aq kohë sa ekziston mundësia që ky nen të interpretohet ëh, në bazë dhe në zbatim të nenit 115 të Kushtetutës, ky nen ëh, flet për ëh, shkaqe, për shkelje të rënda. Dhe në momentin që flet për shkelje të rënda, siç flet dhe neni 115 i Kushtetutës, kalojmë pastaj në analizën që me shkelje të rëndë do kuptojmë vetëm ato shkelje që nuk bëhen për shkaqe objektive, bëhen me vullnet të personit dhe bëhen dhe me faj. Ëh, ndërkohë, për të theksuar dhe diçka tjetër, ligji për vetëqeverisjen vendore, qysh në fillim të tij, shprehet që ka dalë në zbatim të disa neneve të Kushtetutës dhe më konkretisht në zbatim të nenit 115 të Kushtetutës. Dhe e vetmja dispozitë në ligjin për vetëqeverisjen vendore që mund t'i referohet nenit 115 të Kushtetutës, është pikërisht neni 62 i ligjit. Nga ky aspekt ne mendojmë që i gjithë neni 62 i ligjit është në zbatim të Kushtetutës dhe ne mendojmë që pika B dhe C e nenit 62 janë thjesht evidentimi i disa rasteve që përbëjnë shkelje të rënda.

Gjyqtarja Sonila Bejtja: Faleminderit, jam e qartë. Atëherë, kam këtë pyetje. A mendoni ju që kryerja gjatë, qëndrimit në institutin e vuajtjes së dënimit të paraburgim, pra gjatë izolimit, e ndonjë veprimi administrativ të domosdoshëm është e mjaftueshme perse për t'u konsideruar se janë ushtruar detyrat dhe kompetencat që i njeh ligji kryebashkiakut?

Avokati i Veliaj: Po e nderuar, neni 62, gërma C, përdor shprehjen mosparaqitje në detyrë. Dhe me detyrë nuk është se kufizon domosdoshmërisht vetëm prezencën në zyrën e kryetarit të Bashkisë. Dhe siç ka ndodhur, ka pasur raste ku kryetari i Bashkisë ka nënshkruar akte edhe jashtë ambientit të zyrës. Dhe në këtë kuptim, këto raste nuk mund të konsiderohen si mos prezencë në detyrë, po përkundrazi, si prezencë në detyrë.

Gjyqtarja Sonila Bejtja: Faleminderit, jam e qartë. Pa vënë në diskutim në këtë moment arrimin e prezumimit të pafajësisë në lidhje me akuzat që kanë çuar në izolimin tuaj. Si vlerësoni, është pyetje që e kam vetë. Si vlerësoni ju se mund të ushtrohet detyra e organit të zgjedhur në një rast të tillë? Mbaj këtu në fokus detyrat dhe funksionin që ushtron kryetari i Bashkisë, si dhe marrëdhëniet e posaçme që ai duhet të ketë me qytetarët, banorët e Bashkisë së tij. Këtë pyetje e kam dhe për Këshillin e Ministrave kur të vijë momenti. Faleminderit.

Avokati i Veliaj: I nderuar, kjo pyetje lidhet në thelb edhe me masën e sigurimit. Dhe patjetër që ne kemi pretenduar edhe në procese të tjera gjyqësore që masa e sigurisë është joproporcionale. Joproporcionale për shkak të rëndësisë së funksionit, për shkak të çfarë përfaqëson ky funksion, mandatit që ka, fuqisë që i japin zgjedhësit drejtpërsëdrejti kryetarit të Bashkisë. Dhe, për këtë arsye, ne i qëndrojmë variantit që normalisht kjo detyrë, ky funksion, duhet të ushtrohet nga zoti Beleri në gjendje të lirë. Dhe kjo do të ishte ushtrim 100% i mandatit në funksion të qytetarëve që e kanë zgjedhur. A mund të ushtrohej, ky funksion edhe në masë sigurie? Në gjendje shumë të kufizuar, tepër të limituar. Por nuk mund të hiqet një barazim midis ushtrimit të funksionit në masë sigurie arrest në burg me ushtrimin e funksionit në gjendje të lirë.

Gjyqtarja Sonila Bejtja: Faleminderit. Dhe pyetja e fundit, po pak a shumë jeni përgjigjur, po e kam në, e kam në skaletë dhe dua ta bëj. Sipas jush, rastet e parashikuara në nenin 62, B dhe C, se A-ja është shkarkim për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve. Pra, rastet e parashikuara në nenin 62 B dhe C të ligjit 139/2015, nuk duhet të passjellin shkarkimin e kryetarit të Bashkisë? Apo në thelb pretendoni se juridiksioni kushtetues sipas nenit 115 të Kushtetutës aktivizohet në të gjitha rastet e shkarkimit, përfshirë dhe nenin 62 B dhe C? Faleminderit.

Avokati i Veliaj: Po e nderuar, ne pretendojmë që neni 115 i Kushtetutës zbatohet për të gjitha rastet e shkarkimit dhe, mbahet gjallë 62 C-ja vetëm në rastin kur interpretohet në frymën e nenit 115 të Kushtetutës. Dhe ne mendojmë që po.

Gjyqtarja Sonila Bejtja: Faleminderit. Nuk kam pyetje të tjera.