Danezët përfshihen në ethet e Halloween-it/ Një milion kunguj për gjashtë milionë banorë! Ja si e festojnë 'festën e frikës'?
Në Danimarkë, një vend me rreth gjashtë milionë banorë, do të përdoren plot një milion kunguj për festimet e Halloween-it, sipas vlerësimeve të prodhuesit më të madh të kungujve në vendin nordik. Tradita e gdhendjes së fytyrave të frikshme në kunguj është bërë tashmë pjesë e pandarë e kulturës daneze.
Christian Olesen, 31 vjeç, drejton fermën familjare në Skelskor, rreth 110 kilometra në perëndim të Kopenhagenit, ku çdo tetor fusha e tij shndërrohet në një “det portokalli” me 90 mijë kunguj. Këtë vit, ai ka marrë një rekord porosish – plot 200 mijë copë. “Kërkesa rritet çdo vit me rreth 10 për qind. Sivjet do të shiten rreth një milion kunguj në të gjithë Danimarkën,” thotë ai me një buzëqeshje të gjerë.
Në fermën e Olesenit, 50 punëtorë mbledhin pa pushim kungujt që më pas shpërndahen me kamionë nëpër vend. Çdo kamion transporton rreth 3,000 kunguj drejt supermarketeve, të cilët i blejnë për rreth dy euro dhe i shesin për katër. Fitimet janë të mëdha për fermerët dhe tregtarët, ndërsa për danezët, kungulli është bërë simboli i një feste që bashkon të vegjël e të mëdhenj.
Edhe banorët e Kopenhagenit janë përfshirë në përgatitjet për Halloween. Shtëpitë janë stolisur me skelete, rrjeta merimangash e lakuriqë nate, ndërsa fëmijët përgatitin maskat dhe kostumet për të trokitur derë më derë duke kërkuar ëmbëlsira. “Kam blerë katër kunguj, por jo për fëmijët – për veten time,” thotë me humor Laini, një nënë daneze që e ka njohur këtë traditë gjatë qëndrimit të saj në SHBA.
Fenomeni i Halloween-it ka marrë përmasa të mëdha në një vend që tradicionalisht lidhet me vlerat e Krishterimit. Sociologët në Universitetin e Kopenhagenit pranojnë se nuk kanë një shpjegim të qartë për popullaritetin e kësaj feste. Gazetarja Geeta Young, e cila ndjek trendet sociale, mendon se arsyeja qëndron te nevoja për “dritë e argëtim” në një periudhë të errët të vitit.
Sipas saj, Halloween-i u përshtat lehtësisht me stilin e jetës daneze: “Në tetor, errësira mbizotëron dhe njerëzit kanë nevojë për një festë që i bashkon. Halloween është bërë një ritual mes verës dhe Krishtlindjeve.” Megjithatë, ajo pranon se në thelb festa është një fenomen konsumist i importuar nga SHBA.
Përgatitjet për këtë natë të veçantë zgjasin me ditë të tëra, ndërsa shpenzimet arrijnë shifra që mund të krahasohen me ato të Krishtlindjeve. “Është bërë Nata e Tregtarëve,” thotë Young me ironi, ndërsa vëren se kostumet, dekorimet, ëmbëlsirat dhe vetë kungujt kushtojnë gjithnjë e më shumë – por asgjë nuk i pengon danezët të gëzojnë magjinë e frikshme të Halloween-it.