Akuzat e forta të Veliajt për Ramën: Bashkëpunëtorët më fyen më shumë! Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës

Erion Veliaj bëri akuza të forta në mënyrë indirekte për Edi Ramën, që firmosi shkarkimin e tij.

Veliaj tha se shteti ka dalë jashtë binarëve të Kushtetutës.

Ai shtoi se vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta kthejë shtetin në binarët e Kushtetutës.

PJESË NGA FJALIMI

“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve.”

Ky ishte një fragment nga formula e betimit tim si Kryetar Bashkie, tre herë i zgjedhur.

Ndaj, jam sot këtu për të mbrojtur deri në fund betimin tim — kontratën time me qytetarët e Tiranës. Një kontratë që ka qenë në zemrën time në çdo orë pune, në çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, në diell e në shi, në çdo rrugë të shtruar, në çdo kënd lojërash, në çdo shkollë, kopsht, çerdhe, apo bulevard, kala, shesh e park që ka ndryshuar Tiranën — nga pandemia e kobshme, ku çonim ndihma të izoluarve, te tërmeti kur ndërtuam shtëpitë e mijëra familjeve.

E do ta mbroj edhe këtu, përpara jush, deri në fund. Sepse nuk besoj se ka diçka më fisnike për t’u bërë, as diçka më frymëzuese për një njeri që i shërben publikut, sesa të mbrojë besimin që i është dhënë me votë. Besimin për të drejtuar jo vetëm kryeqytetin e Shqipërisë, por kryeqytetin e gjithë shqiptarëve, një qytet që rreh me pulsin e gjithë kombit.

E kur beson se ke dhënë gjithçka për këtë mandat të qytetarëve, vjen arsyeja për të cilën të largojnë nga detyra: “Mosprezenca në detyrë për më shumë se tre muaj.”

Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin.

Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë.

Kjo “akuzë” nuk më lëndon për fjalën dhe shkresat e shkreta, por për padrejtësinë që ajo përfaqëson. Siç thotë shprehja: Dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.

Padrejtësia e shkarkimit mbi padrejtësinë e ndalimit nuk janë zgjidhje. Sepse të thuash se Erion Veliaj ka munguar në detyrë, nuk është thjesht cinizëm me Erion Veliajn, por me të vërtetën dhe me ligjin.

Mbi të gjitha, e thënë nga ata që kanë qenë dëshmitarë të rrëmbimit nga zyra pa asnjë akuzë, ngjan si një mesazh pasigurie për këdo që mund të shënjestrohet për arsye politike. Ngjan si një mesazh se në këtë vend sundon dëshira dhe vullneti politik, dhe jo ligji.

Nëse është dikush që mund të ankohet për mungesën time, është vetëm nëna dhe familja ime — për një mungesë 10-vjeçare, askush tjetër.

Ata i kam takuar më shumë në burg se në liri, ku prej punës i lija dhe i gjeja në gjumë.

Fort të nderuar, që nga dita e parë kur u betova në vitin 2015 si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jeta ime është bërë njësh me këtë qytet. E kam drejtuar me gjithë forcën time shpirtërore, mendore dhe fizike, pa kursyer asgjë nga vetja. Ky qytet ka qenë familja ime e madhe.

Nuk pretendoj se çdo gjë e kam bërë mirë, apo se çdo gjë që kam dashur ta bëj, kam mundur ta bëj. Por, një gjë e di me siguri: Askush nuk mund të më “akuzojë” se nuk kam qenë në detyrë.

Sepse kush thotë se unë kam munguar, fyen inteligjencën e të gjithë qytetarëve të Tiranës që më kanë besuar tre herë me radhë, pikërisht sepse e panë me sytë e tyre përkushtimin tim, dashurinë time për punën dhe për qytetin.

Punë nga e cila më shkëputën padrejtësisht dhe pabesisht ata që donin të më shihnin me pranga në duar e jo me lopatë në duar; ata që nuk më donin mua në atë zyrë, sepse ajo zyrë ishte bërë simbol i dashurisë për qytetin dhe punën — epiqendër e optimizmit dhe një energjie pozitive të pafundme.

Mund ta burgosësh një njeri, por jo të vërtetën e tij. Dhe e vërteta është se mosprezenca ime nuk ka qenë zgjedhje, por pasojë e një izolimi të imponuar nga shteti, përmes një vendimi disproporcional, nga letra anonime dhe zell persekutues, që më privoi jo vetëm nga liria, por edhe nga qyteti im, përpara se të provohej çdo fajësi.

Si mund të quhet “shkelje” mungesa e një Kryetari Bashkie që është fizikisht i ndaluar nga vetë organet e shtetit, në bazë të një vendimi që nuk është i formës së prerë?

A mos vallë duam të legjitimojmë idenë se çdo funksionar i zgjedhur mund të largohet nga detyra përmes një arrestimi të përkohshëm, pa vendim fajësie, duke i marrë popullit mandatin që ai vetë ia ka dhënë me votë të lirë?

Nëse kjo pranohet, atëherë çdo mandat i zgjedhur nuk është më një garanci e sovranitetit qytetar, por një leje që mund të të hiqet në çdo kohë nga vullneti politik.

Nëse pranohet një gjë e tillë, atëherë parimi i prezumimit të pafajësisë humbet kuptimin, dhe ndëshkimi pa vendim gjyqësor kthehet në praktikë të zakonshme. Kjo do të ishte një rrëshqitje e rrezikshme nga shteti i së drejtës në shtetin e paragjykimit.

Kjo nuk është vetëm një padrejtësi njerëzore, por një kontradiktë e hapur kushtetuese, sepse më ndëshkon për një fakt që nuk është as veprim, as shkelje, por një gjendje e imponuar me forcën disproporcionale të vetë shtetit.

Nëse kjo kthehet në precedent, atëherë çdo qytetar i këtij vendi do të jetojë me frikën se mund të ndëshkohet jo për atë që ka bërë, por për atë që cilido pushtet vendos t’i faturojë apriori.

E nderuar Gjykatë,

Nëse pranohet që një kryebashkiak i zgjedhur me votën e popullit mund të hiqet nga detyra pa vendim të formës së prerë, atëherë nga nesër çdo qytet, çdo bashki dhe çdo mandat popullor mund të bjerë pre e vendimeve politike të momentit.

Në atë çast, zgjedhjet humbin kuptimin, vota humbet peshën dhe sovraniteti qytetar zëvendësohet nga vullneti i atyre që duan të sundojnë në emër të ligjit, por duke e përmbysur vetë ligjin.

Kjo nuk është demokraci.

Kjo është përmbysje e demokracisë.

Ky nuk është prezumim pafajësie, por prezumim fajësie, dhe aty ku pafajësia zëvendësohet nga paragjykimi, drejtësia pushon së ekzistuari.

Unë nuk jam sot këtu për të kërkuar mëshirë apo privilegj. Vij për të kërkuar drejtësi kushtetuese.

Drejtësia është mburoja morale dhe fundore e Republikës, ajo që mbron rregullin që na mban bashkë si shoqëri.

Ajo që e ndan shtetin e drejtë nga shteti i frikës, ligjin nga arbitrariteti dhe Republikën nga çdo formë sundimi.

Në këtë moment vendimtar, Ju nuk jeni thjesht një gjykatë që shqyrton një shkarkim nga detyra të një kryebashkiaku.

Ju jeni — siç e ka përshkruar Alexander Hamilton, një nga etërit themelues të Shteteve të Bashkuara — “trupi ndërmjetës midis popullit dhe pushtetit”, i krijuar për ta mbajtur pushtetin brenda kufijve që i ka caktuar Kushtetuta.

Kur pushteti e tejkalon veten, kur vullneti politik kërkon të zëvendësojë ligjin, vetëm gjykata juaj Kushtetuese ka fuqinë dhe detyrën ta ndalojë.

Vetëm kjo gjykatë mund ta rikthejë shtetin në binarët e Kushtetutës dhe të mbrojë qytetarin nga abuzimi i pushtetit që ai vetë ia ka dhënë.