Pema më e fortë në botë rritet vetëm në këtë kontinent
Fortësia e drurit matet më së shpeshti me testin Janka, një metodë standarde që përfshin shtypjen e një topi çeliku me diametër 11.28 milimetra në sipërfaqen e drurit dhe matjen e forcës së nevojshme për ta zhytur atë në gjysmën e diametrit. Sa më e madhe të jetë forca e regjistruar, aq më i fortë është druri.
Sipas portalit Punkufer.hr, bulloku australian (Allocasuarina luehmannii), i njohur edhe si “lisi i demit”, shpesh konsiderohet si pema më e fortë në botë, megjithëse kjo mbetet subjekt debatesh mes ekspertëve. Kjo bimë lulesh nga familja Casuarinaceae rritet vetëm në kontinentin australian, kryesisht në pyjet që shtrihen nga Queensland dhe Uellsi i Ri Jugor deri në Victoria e Australinë Jugore.
Pema mund të arrijë një lartësi deri në 15 metra dhe një diametër prej 3 deri në 6 metrash, duke u dalluar për lëvoren e rrudhur dhe gjethet e holla të dhëmbëzuara. Fortësia e saj varion nga 3,690 deri në 5,060 lbf, në varësi të burimeve, çka e rendit atë ndër drurët më rezistentë në botë ndaj gërvishtjeve, konsumit dhe dëmtimeve fizike.
Bulloku australian përdoret gjerësisht për prodhimin e mobiljeve, dyshemeve, veglave dhe objekteve artizanale, ndërsa Aborigjenët e përdorin tradicionalisht për bumerangë dhe shkopinj. Përveç përdorimeve praktike, kjo pemë shërben edhe si burim ushqimi për zogjtë lokalë.
Fortësia e saj shpesh krahasohet me atë të drurit kebrajo nga Amerika e Jugut, i njohur për qëndrueshmërinë ekstreme që madje mund të thyejë tehet e sëpatës, duke u renditur kështu si një nga rivalët kryesorë për titullin e drurit më të fortë në botë.