‘Anuloni vendimin për pezullimin e dekretit të zgjedhjeve’/ Gjykata Kushtetuese tërhiqet për vendim
Ka nisur në Gjykatën Kushtetuese seanca për shkarkimin e Erion Veliajt, ku i pranishëm është edhe ky i fundit.
Që në fillim, përfaqësuesit e Presidencës thanë se duhet anuluar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit për zgjedhjet e 9 nëntorit.
“Nuk mund të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese një akt administrativ. Zgjedhjet në Tiranë u bllokuan, ndaj duhet të kthehet kushtetueshmëria. Paraqesim kërkesën që të anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në këtë shqyrtim. Anuloni vendimin për përfshirjen e dekretit në lëndën e këtij shqyrtimi”, tha Presidenca.
Edhe Këshilli i Ministrave e mbështeti pretendimin e Presidencës.
Kurse avokati i Erion Veliajt ka parashtruar kërkesat e tij, që kanë të bëjnë me rikthimin në detyrë të kryebashkiakut të shkarkuar. Ai tha se asnjë institucion nuk duhet të ndërhyjë, përfshirë edhe Presidentin.
“Ne i qëndrojmë parashtrimeve që kemi paraqitur në lidhje me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese. Ne mendojmë se kjo gjykatë është kompetente për shqyrtimin e kërkesës tonë, edhe për aktin e presidentit," tha ai.
Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë një vendim për këtë kërkesë.
Nëntë gjyqtarët do të shqyrtojnë kërkesën e Presidencës për të shpallur moskompetencë për dekretin e Bajram Begajt.