VIDEO/ Erion Veliaj lë qelinë, niset drejt Kushtetueses në përballjen me Ramën kundër shkarkimit

Erion Veliaj ka lënë pak minuta më parë ambientet e paraburgimit në Durrës dhe është nisur drejt Tiranës, ku pritet të jetë i pranishëm në seancën e Gjykatës Kushtetuese, e parashikuar të zhvillohet në orën 10:00.

Kushtetuesja do të shqyrtojë padinë e Veliajt kundër vendimit të kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e tij nga detyra, si dhe dekretit përkatës të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj. Kujtojmë se më herët, Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar zbatimin e këtij dekreti, në pritje të vendimit përfundimtar.

Veliaj ka kërkuar të jetë personalisht i pranishëm në seancën, e cila sipas njoftimit zyrtar do të jetë publike. Për këtë qëllim, është marrë miratimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas autorizimit me shkrim të SPAK.

Gjykata Kushtetuese ka dërguar më herët shkresën përkatëse, duke mundësuar pjesëmarrjen e tij në seancën e së premtes.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.