Berisha: Ne e kërkojmë këtë komision pasi në dosjen e Uashingtonit, emri i Edi Ramës lakohet 13 herë në 13 pika
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi në Kuvend se opozita kërkon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për shkak të provave të shumta që, sipas tij, lidhin kryeministrin Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
‘Ne kërkojmë këtë komision sepse në dosjen e gjykatës në Uashington, emri i Edi Ramës lakohet 13 herë në 13 pika,’ theksoi Berisha.
Ai citoi pjesë nga dosja amerikane, duke pretenduar se aty ‘Rama përmendet si personi që korruptoi McGonigalin’ dhe se ‘gjykatësi i Uashingtonit thotë se njeriu i ngarkuar për të mbrojtur kombin nga korrupsioni, u korruptua vetë nga fuqia e huaj.’ Sipas Berishës, në dokumentin gjyqësor përmenden edhe episode konkrete të korrupsionit të Edi Ramës ndaj McGonigal.
Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:
Duartrokitjet tuaja janë një histeri kolektive, asgjë më shumë.
Por unë do t’u them shqiptarëve se ne kërkojmë këtë komision sepse në dosjen e gjykatës në Uashington, emri i Edi Ramës citohet, lakohet 13 herë në 13 pika.
Se në dosjen e gjykatës në Uashingotn, emri i Edi Ramës lakohet si personi që korruptoi McGonigalin dhe se gjykatësi i Uashingtonit thotë, njeriu i ngarkuar për të mbrojtur kombin nga korrupsioni, u korruptua vetë nga fuqia e huaj.
Në dosjen e gjykatës së Uashingtonit thuhet se ky njeri u mor me hetime mafioze, mori Tom Doshin dhe Durim Bamin në Vjenë me avion të posaçëm, shoqëruar nga ministër.
Në dosjen e gjykatës në Uashington thuhet se ndërhyri për licencën e naftës për t’ia dhënë një kompania ku kishte interesa Agron Neza, dhe mundet edhe vetë McGonigali.
Në dosjen e gjykatës së Uashingtonit thuhet se agjenti i sigurimit sekret, ish-këshilltari i Edi Ramës, nga zyra e tij mori 225 mijë dollarë dhe ia dha atij.
Në dosjen e gjykatës thuhet se në vitin 2020, gjykatësi i Uashingtonit urdhëroi regjistrimin e të gjithë korrespondencës së Edi Ramës dhe ministrave të tij për efektin e korruptimit të McGonigal.
Në dosjen e gjykatës thuhet se McGonigal u morën me çështje të reformës, se e bënë qytetar nderi këtu dhe aty, me radhë e me radhë.
Pra, dhe këto qenkan veprime të pafajshme.
Po ti po të flasësh me mendtë e tua, nuk e thua kurrë këtë.
Por ti nuk flet kurrë me mendtë e tua
Janë të gjitha këto fakte.
Dhe se kompania që iu hoq licenca, arriti të gjobisë Shqipërinë 40 milionë euro.
Dhe se kompania që mori licencën, ishte e lidhur me Oleg Deripaskën.