VIDEO/ Mediu: Gjyq popullor i organizuar politikisht, Soros ka ndikuar dhe në Strasburg

Në seancën e radhës të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në lidhje me çështjen e Gërdecit, ish-ministrit Fatmir Mediu deklaroi se ‘Soros ka ndikuar edhe në Gjykata e Strasburgut’. Ai theksoi nevojën për ‘barazi armësh në proces’, duke krahasuar procedurat e SPAK-ut me ato të gjykatave amerikane:

‘Ashtu siç SPAK është lejuar të marrë prova në SHBA, në përputhje me ligjet e atij vendi dhe ne kemi kërkuar për të sjellë po nga ai territory dëshmitë e 9 subjekteve me një relevancë të jashtëzakonshme për çështjen dhe zotin Mediu.

Kujtoj këtu për analogji rolin që dëshmi të caktuara të gjeneralëve amerikanë kanë luajtur dhe po luajnë sëfundmi për procesin e zotit Thaçi. Meqenëse gjykata me të padrejtë sikurse jeni dëshmues këtë të drejtë tonën, ne kemi marrë këto dëshmi në formën e lejuar nga ligji amerikan.’

Ai shtoi se këto dokumente janë dërguar përmes ambasadës së Shqipërisë në ministrinë e Drejtësisë, por përfunduan në KLGJ, duke theksuar:

‘Me të drejtë i kemi kërkuar gjykatës që t’i sjellë në gjykatë dhe t’i bëjë pjesë të fashikullit të 9 dëshmitë përfshirë letrat e 6 kongresmenëve amerikanë, pas besojmë se kanë një domethënie përcaktuese në çështjen tonë. Gjykata dhe këtë e rrëzoi.’

Mediu akuzoi gjithashtu se çështja po trajtohet si një ‘gjyq popullor të organizuar politikisht që s’ka lidhje me akuzën për ministrinë e Mbrojtjes’, duke argumentuar se procesi është i ndikuar nga fondacioni i Sorosit dhe interesat e grupeve politike në Shqipëri:

‘Po ta shikoni të gjithë zinxhirin e marrëdhënies që hapi çështjen në mënyrë të kundraligjshme. Po ashtu, krijoi opinionin publik me paratë e Fondacionit Soros, ndikimin e këtij fondacioni në reformën në drejtësi, por deri te Gjykata e Strasburgut gjërat janë të lidhura në atë mënyrë jo për të bërë atë që është në interes të drejtësisë, por në interes të disa grupeve politike të caktuara në Shqipëri, të cilat janë evidente.’