Dy botë në një shtet

Nga Osman Stafa

Në foton e parë janë deputetët e Republikës së Shqipërisë.
Në foton tjetër janë pacientët e Spitalit Onkologjik.

Të parët, të ulur në kolltuqe me ajër të kondicionuar, rehatshëm. Flasin për procedurë. Flasin për akuza e kundërakuza, por jo për këta të dytët.

Të dytët janë këta që janë në karrige me rrota, karrige druri, dhe pranë qeseve të mbeturinave. Ata janë pacientët e Spitalit Onkologjik. Po bëjnë kimioterapi. Se nuk ka poltronë, ata bëjnë kimio në kushte ç'njerëzore. Ata nuk thërrasin se kimiot po i bëjnë në karrige me rrota, hallet e tyre janë aq të mëdha, sa nuk kanë më as zë, t'i bërtasin.

Ata që mund të ngrenë zërin për ta, nuk e bëjnë këtë. Ata kanë hallin e rendit të ditës. Po a njeh rend dite kanceri, e kushtet ç'njerëzore në Onkologjik? A mund të ketë rend dite, kur pacientët me kancer janë pa kimio, pa pajisje trajtuese e diagnostikuese, e pa poltronë?
Të parët marrin dieta, privilegje, rrogë të majme, e benefite të tjera.

Ndërsa të dytët paguajnë parkingun në QSUT, paguajnë për poltronin, paguajnë tek mjekë për të marrë një shërbim pa sorollatje, e për një fjalë të mirë.

Këta të parët mund të ngrenë zërin për të dytët, që situata të rregullohet, por në orbitën e shumë prej tyre këto 'akte ç'njerëzore' nuk ekzistojnë.

p.s Foto e pacientëve të Onkologjikut është e ditëve të fundit.