Këlliçi: Me urdhër të kryeministrit u rrethua GJKKO - Irena Gjoka, simbol i reformës së dështuar
Seanca parlamentare është shoqëruar me tensione dhe akuza të forta nga ana e opozitës, e cila ka denoncuar presione dhe intimidime ndaj sistemit të drejtësisë nga ana e qeverisë. Deputetët opozitarë kanë folur për një ngjarje të paprecedentë të rrethimit të Gjykatës Speciale dhe kanë ngritur akuza për të kaluarën e gjyqtares Irena Gjoka.
Në fjalën e tij, deputeti Belind Këlliçi deklaroi se më datë 12 shkurt të këtij viti, në ambientet e Gjykatës Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u rrethuan në një akt të pashembullt. Sipas tij, ngjarja ndodhi me urdhër të një zyrtari të lartë të burgosur dhe kryeministrit. Ai shtoi se gjatë këtij incidenti, prokurorët e çështjes u kërcënuan nga punonjës të Bashkisë së Tiranës, ndërsa kërkesat për ndihmë drejtuar Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit mbetën pa përgjigje. “Ju që flisni për intimidimin e organeve të drejtësisë, keni dhënë shembullin tuaj në një ngjarje të paprecedentë kërcënimi dhe shantazhi,” theksoi Këlliçi.
Më tej, ai sulmoi direkt reformën në drejtësi, duke e cilësuar gjyqtaren Irena Gjoka si “simbolin e reformës së mazhorancës”. Deputeti e etiketoi atë si një “delinkuente e dënuar në Greqi”, një akuzë e rëndë që shton polemikat rreth figurave kyçe të sistemit gjyqësor.
Belind Këlliçi: Ai sondazhi që ka dalë para dy ditësh për Tiranën, me sa duket i paska dhënë efektet që u bë temë diskutimi kandidati i shkëlqyer të cilin ka vendosur të mbështesë e gjithë opozita e bashkuar, Florian Binajn, që jam i bindur që deri ditën kur do të vendosni a do të ketë votime, a do të ketë zgjedhje apo jo në Tiranë, se e keni të lidhur në mënyrë të pashmangshme fatin e zgjedhjeve me ditën e nesërme në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jam i bindur që dhe një pjesë e mirë e grupit të Partisë Socialiste do votojnë për Florian Binajn, për shkak të asaj që ju bë dhe zoti Braçe, kam përshtypjen ti duhet të jesh një nga ata votuesit e heshtur, se je edhe një njeri që të shqetësojnë problemet e Tiranës dhe të shoh që bën opozitë në Tiranë pas asaj, pas asaj, pas asaj tragjedie dhe katrahure në të cilën e la Tiranën banori më i fundit i burgut të Durrësit, i cili, meqë u përmend këtu shantazhi ndaj organeve të drejtësisë, i cili ndërkohë që qëndronte brenda në ambientet e GJKKO-së, me urdhër të tij dhe të kryeministrit, u rrethua si asnjëherë më parë në datë 12 shkurt të këtij viti ambientet e Gjykatës Speciale, u kërcënuan prokurorët nga punonjësit e Bashkisë Tiranë, i kërkoi ndihmë Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit dhe nuk morën asnjëherë përgjigje. Dhe ju që flisni për intimidimin e organeve të drejtësisë, keni dhënë shembullin tuaj vetëm në datë 12 shkurt të këtij viti. Në një ngjarje të paprecedent, po e them dhe një herë, kërcënimi dhe shantazhi. Pastaj, sa për reformën në drejtësi, simboli juaj i reformës është Irena Gjoka Shpata Maneku, një delinkuente e dënuar në Greqi, e di i madh dhe i vogël këtë histori.