Banorët e Durrësit: Po na shpronësoni në mënyrë abuzive, deri në fund të nëntorit mbetemi pa shtëpi

Banorët e Durrësit kanë protestuar sërish kundër procesit të shpronësimit të banesave të tyre, duke akuzuar Bashkinë se po vazhdon me procedura abuzive dhe me shkelje të rënda ligjore. Përmes një përfaqësueseje, ata i kanë bërë thirrje urgjente kryetares së bashkisë dhe administratës që të ndalojnë menjëherë procesin, i cili rrezikon t'i lërë pa strehë deri në fund të muajit nëntor.

Gjatë fjalës së saj në protestë, përfaqësuesja e banorëve theksoi se ata nuk janë thjesht "letra dhe viza katrore në hartë", por njerëz që po përballen me pasigurinë e humbjes së shtëpive. Sipas saj, procesi është i mbushur me shkelje të panumërta, të cilat janë bërë objekt i shumë çështjeve gjyqësore.

"Nëse vazhdoni me procedurat, do të shtoni penalitetet në gjyqe dhe në ndjekje penale," paralajmëroi ajo administratën.

Një ndër akuzat kryesore lidhet me vlerësimin e pronave. Protestuesit pretendojnë se shumë objekte nuk janë pasqyruar në vlerën e tyre reale, si në aspektin sipërfaqësor ashtu edhe në atë monetar. Këto gabime, që sipas tyre burojnë nga administrata, po u kushtojnë banorëve shpenzime të mëdha financiare nëpër betejat ligjore që kanë nisur.

Dyshimet më të forta ngrihen mbi sistemin e drejtësisë. Përfaqësuesja bëri të ditur se kërkesat e tyre për sigurim padie, me qëllim pezullimin e procesit, janë refuzuar në mënyrë të çuditshme.

"Çuditërisht, të gjitha rastet tona i bien po të njëjtës gjyqtare, e cila merr vendime në dhomë këshillimi pa u konsultuar me ne," deklaroi ajo.

Sipas saj, gjyqtarja ka arsyetuar se prishja e shtëpive nuk përbën një "dëm të pariparueshëm", një kusht ligjor për miratimin e masës së sigurisë.

Çështja ka mbërritur edhe në dyert e SPAK-ut. Megjithëse Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka konsideruar fillimisht si një çështje administrative, banorët e shohin si një "rast të qartë korrupsioni".

Deklarata e plotë:

"Protestë, sepse shohim që bashkia po vazhdon me procesin e shpronësimeve. I themi bashkisë Durrës, kryetares së bashkisë dhe të gjithë administratës të ndalojë procedurat e shpronësimit. Këta këtu janë njerëz, nuk janë letra dhe viza katrore në hartë. Këta njerëz, në qoftë se ju vazhdoni procedurat, në fund të nëntorit janë të shpronësuar në shtëpitë e tyre.

Ndaj ju lutem, uluni dhe shikojeni ca gjëra. Gjygjet janë pa fund, kejs-et dhe shkeljet e këtij projekti janë pa fund. Do do do shtoni penalitetet në gjygje dhe në ndjekje penale në qoftë se vazhdoni me procedurat. Qëllimi i protestës sot është t'i themi bashkisë Durrës të të ndalojë procedurat. Ka shkelje të rënda deri në dokumentacion. Edhe sikur të shkojë për shpronësim, jo vetëm për vlerë, shumë objekte nuk janë të pasqyruara në vlerën e tyre të vërtetë sipërfaqësore, jo vetëm monetare.

Ndaj gabimet vijnë nga kjo administratë dhe që kjo, ky grup këtu dhe më shumë se ky grup këtu, i paguan me para ditë për ditë nëpër gjygje dhe nëpër kazuse ligjore.

Ju lutem, bashki jo ju lutem, po i kërkojmë, ja kërkojmë në mënyrë të prerë administratës të bashkisë Durrës dhe të gjithë atyre që po merren me procesin e shpronësimit ta ndalojnë. Ne kemi bërë gjygje, kemi kërkuar sigurim padie, të cilat çuditërisht nuk na pranohen. Unë e, ne e kuptojmë, jo unë, po të gjithë ne e kuptojmë, nga Gjykata Administrative çuditërisht i bie po të njëjtës gjyqtare e cila e bën në dhomë pa konsultim me ne, pra në dhomën e, dhomë këshillimi, bën vendimmarrje dhe i duket që prishja e këtyre shtëpive nuk përbën një dëm të pa të pakthyeshëm.

Pra në qoftë se, sepse janë nëpër këto, që të marrësh sigurim padie, qëllimi kryesor është që të dëshmosh që këto banesa ose apo dëmi që do bëhet është i pariparueshëm. Dhe dhe sipas gjykatëses kjo nuk është. Unë nuk po dua të përmend emër, ajo e di vetë se kush është dhe çuditërisht gjithë rastet tona i bien vetëm të njëjtës gjyqtare. SPAK-u gjithashtu thotë që kjo është një çështje për administrative dhe kjo është një rast i qartë korrupsioni, t'i hysh rast për rast.

Por gjithsesi ne do bëjmë shpallje të tjera në SPAK, do t'i marrim individualisht. Nuk do t'i marrim më me 14, po do t'i bëjmë rast për rast dhe SPAK-u do të përgjigjet, në qoftë se do të përgjigjet, është përgjegjësi e tyre, por këtu kemi të bëjmë me shkelje të rënda ligjore, kemi të bëjmë me akte të qarta korrupsioni. Faleminderit".