Himçi: KLP la në baltë prokuroren përballë Ramës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është vënë në qendër të kritikave për shkak të qëndrimit të mbajtur ndaj sulmeve politike të Kryeministrit Edi Rama ndaj prokurores Elsa Gjeli. Deputeti i PD, Bledi Himçi, tha sot në Kuvend se KLP ka dështuar të mbrojë figurën e prokurores, duke e cilësuar sulmin e kreut të qeverisë si një “koment” të thjeshtë.

Kritikat e tij erdhën pas raportimit në Kuvend të kryetares së KLP-së, e cila pohoi se “secili mund të bëjë një koment”. Ky qëndrim u cilësua si i papranueshëm, duke argumentuar se Kryeministri nuk bëri komente, por “akuzoi publikisht dhe denigroi” një prokurore në krye të detyrës.

Në fjalën e tij, deputeti Himçi theksoi se vetë prokurorja Gjeli i ishte drejtuar KLP-së për të kërkuar një reagim zyrtar ndaj sulmeve politike, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Mungesa e reagimit u përshkrua si një “anashkalim dhe papërgjegjshmëri” e institucionit që ka për detyrë themelore mbrojtjen e prokurorëve.

Bledi Himçi: Kryetares së KLP-së, për faktin që deklaroi që secili mund të bëjë një koment. Për hir të vërtetës, jemi para kreut të ekzekutivit i cili nuk bën komente, po akuzon publikisht një prokurore e denigron atë në funksionin e detyrës së saj. Dhe prokurorja Elsa Gjeli i është drejtuar KLP-së për një qëndrim ndaj sulmeve politike që bëri kryeministri Rama. Dhe nga ana e KLP-së nuk pati asnjë kthim përgjigje. I keqardhur sepse trupa e prokurorëve, në qoftë se ka kompetencë për të mbrojtur ndaj sulmeve politike, është pikërisht KLP-ja. Kush do t'i mbrojë sulmet frontale përveç organit kompetent që është KLP-ja? Dhe KLP-ja për hir të vërtetës nuk përgjigjet dhe vetë titullarja e institucionit këtu deklaron që secili mund të bëjë komente. Ky është një anashkalim, një papërgjegjshmëri në kthimin e përgjigjes, ndërkohë që duhet të kishte reaguar plotësisht në mbrojtje të interesave të një prokurori.