I cilësoi sulmet e Ramës ndaj gjyqtarëve si normale/ Nallbati- Kryetares së KLP: Standardi i drejtësisë sot, secili ka hallin e vet

Në një fjalim me tone të ashpra dhe ironike nga foltorja e Kuvendit, deputeti Bledion Nallbati ka akuzuar Kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani se ka normalizuar sulmet e kryeministrit ndaj sistemit të drejtësisë dhe ka shfaqur indiferentizëm të plotë ndaj problemeve të qytetarëve.

Sipas deputetit, Bogdani e ka konsideruar si “normale” që kryeministri të sulmojë gjyqtarët dhe prokurorët. Duke përdorur sarkazëm, ai shtoi se ajo pothuajse ka thënë: “Si guxojnë ata t'i japin vendime kundër dëshirës dhe vullnetit të kryeministrit? Turp të kenë”.

Një tjetër pikë kritike e fjalimit ishte çështja e hartës së re gjyqësore dhe pasojat e saj për qytetarët. Deputeti deklaroi se zyrtarja e ka justifikuar mungesën e veprimit me mungesën e kohës, duke shtuar se ky problem “nuk është halli i prokurorëve apo i KLP-së, por është halli i qytetarëve”.

Kjo deklaratë u interpretua si një shpërfillje ndaj vështirësive që do të hasin banorët e Korçës, Delvinës, Gjirokastrës apo Tropojës, të cilët do të detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranës për të zgjidhur çështjet e tyre ligjore.

Gjithashtu, u vunë në dukje qëndrimet e saj edhe për raportin e lartë të të paraburgosurve në burgje. Nallbati pohoi se zyrtarja ka refuzuar të japë një opinion, duke e kaluar përgjegjësinë te Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe duke lënë të kuptohet se nuk është shqetësimi i saj fati i personave që qëndrojnë në burg pa një vendim të formës së prerë.

Në përfundim, Nallbati e cilësoi këtë qasje si “standardin e drejtësisë sot”, ku askush nuk mban përgjegjësi për detyrimet ndaj qytetarëve dhe ku secili sheh vetëm hallin e vet. 

Nallbati:

Unë e vlerësoj sinqeritetin e zonjës. Të paktën nuk u përpoq të kamuflohej, e tha shumë qartë. 'Sulmet e kryeministrit ndaj gjyqtarëve e prokurorëve janë normal', tha. Madje mund të kishte thënë edhe 'si guxojnë ata jezitër t'i japin vendime kundër dëshirës dhe vullnetit të kryeministrit'. Turp të kenë. Përsa i përket efekteve të hartës gjyqësore, tha, 'nuk jemi marrë me këtë çështjen se s'kemi pasur kohë, po në fund të fundit nuk është se është halli i prokurorëve dhe i KLP-së. Është halli i qytetarëve. Punë e madhe se do vijnë ata nga Korça, nga Delvina, nga Gjirokastra, nga Tropoja, të vijnë në Tiranë të zgjidhin hallet e tyre. Ç'i gjen? A kanë punë të tjera si?'

Dhe edhe përsa i përket raportit të paraburgosurve me të burgosurit, nuk kishte zonja asnjë opinion. Tha, 's'kam asnjë opinion unë si profesioniste. Çojeni Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, po në fund të fundit, çfarë më duhet mua të merrem me ata që rrinë kot nëpër nëpër burgje edhe pse nuk kanë një vendim të formës së prerë'.

E pra ky është standardi që kemi sot në drejtësi dhe askush nuk merr përsipër përgjegjësitë e veta në raport me qytetarët. Gjithsecili ka hallin e vet. Po gjithë, siç e thashë në fillim, po e them prapë, zonja ishte e sinqertë, e vlerësoj sinqeritetin. Puna mbarë.