Votimi për Niko Peleshin, tre deputetë të Ramës dalin nga rreshti, votojnë pro shkarkimit
Maxhoranca socialiste ka rrëzuar sot në Kuvend kërkesën e opozitës për shkarkimin e Niko Peleshit nga posti i kryetarit të Parlamentit.
Me 79 vota kundër dhe vetëm 10 vota pro, socialistët mbajtën Peleshin në krye të Kuvendit, ndërsa pjesa më e madhe e deputetëve të opozitës nuk morën pjesë në votim, duke protestuar ndaj procedurës dhe mënyrës se si u fut në votim të fshehtë kërkesa për shkarkim nga ana e drejtueses së séances, Klodiana Spahiu.
Megjithatë, ajo që bie në sy është se tre vota kanë “rrjedhur” nga mazhoranca. Nga tabela elektronike e votimit rezulton se, përveç gjashtë deputetëve demokratë dhe deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, tre vota të tjera pro shkarkimit kanë ardhur me shumë gjasa nga radhët e socialistëve.
Kjo nuk është hera e parë që gjatë votimeve të fshehta në Kuvend regjistrohen “firo” nga kampi i majtë, duke dalë kundër vendimeve politike të grupit.
Sipas të dhënave zyrtare, nga opozita kanë votuar Bujar Leskaj, Tritan Shehu, Luan Baçi, Ina Zhupa, Elda Hoti dhe Jorida Tabaku, ndërsa vota e shtatë është e deputetit Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë.