Pse Putini është i fiksuar pas ‘armëve të mrekullueshme’ bërthamore?

Nga Mark Galeotti, SPECTATOR

Nuk mendoj se është e saktë apo e dobishme ta imagjinojmë Vladimir Putinin si ndonjë nga figurat që i ngjan “armiqve të Bond-it” — por ai me të vërtetë e bën të vështirë të mos e mbash këtë qëndrim ndonjëherë. Veçanërisht, entuziazmi i tij për “armët e mrekullive” — shpesh me vlerë të dyshimtë strategjike — tregon një lloj madhështie të kotë. Disa prej tyre kanë vërtet përdorim ushtarak, por të tjerat duken më të dobishme në luftë psikologjike sesa në atë reale.

Javën e kaluar, rusët njoftuan një test të suksesshëm të 9M730 Burevestnik (“Storm Petrel”), një raketë lundrimi me armë dhe me fuqi të pavarur bërthamore. Reaktori i saj i mundëson të udhëtojë më larg se çdo raketë e zakonshme kruz, duke manovruar në lartësi deri në vetëm 50 metra. Kjo do të thotë se nuk mund të ndalet nga sistemet kundër-raketore balistike, përfshirë edhe të famshmen “Kupola e Artë” e Donald Trump (ndoshta edhe ajo një shembull i madhështisë së kotë), të projektuara për të rrëzuar raketat që vijnë nga lartësitë e mëdha. Nga ana tjetër, ajo është relativisht e ngadaltë dhe për rrjedhojë e cenueshme nga sistemet e zakonshme kundërajrore, madje edhe nga avionët luftarakë. Edhe pse nuk është e qartë nëse — siç kanë supozuar disa — ajo lëshon pas vetes një re tymi radioaktiv, ajo nuk duhet të jetë e pamundur që të gjurmohet. Pra, për çfarë shërben në të vërtetë?

Një pyetje e ngjashme mund të bëhet edhe për 2M39 Poseidon, të cilën Putini njoftoi dje se gjithashtu e kishte testuar me sukses. Poseidoni është një dron i madh nënujor, i fuqizuar me energji bërthamore, që mund të lançohet nga një nëndetëse si një torpedo dhe pastaj të përparojë në mënyrë të fshehtë drejt objektivit. Mund të jetë i armatosur me një kokë bërthamore, e cila mund të shkatërrojë të gjithë grupin luftarak të aeroplanmbajtëseve ose të shpërthejë pranë një qyteti bregdetar.

Të dyja janë më shumë armë për t’u hakmarrë në rast të një sulmi bërthamor ndaj Rusisë ose, edhe më mirë, për të parandaluar një të tillë. Por a e bëjnë ato këtë detyrë shumë më mirë se sistemet e tjera? Aktualisht, Rusia ka arsenalin më të madh bërthamor në botë. Sipas vlerësimit të fundit të ‘Bulletin of the Atomic Scientists’, ajo ka 1.718 mbushje bërthamore strategjike: rreth 870 në 333 raketa balistike tokësore, 640 në raketa balistike të lançuara nga nëndetëset, dhe të paktën 200 në bazat e bombarduesve të rënda. Mundësitë e një goditjeje të parë të suksesshme, që do të shkatërronte të gjitha apo edhe shumicën e këtyre kapaciteteve, duken të paarritshme.

Duke qenë se Poseidoni dhe Burevestniku sfidojnë marrëveshjet dhe mirëkuptimet ekzistuese për kontrollin e armëve, pse duhet — në një kohë kur Moska jo vetëm që po zhvillon një luftë në Ukrainë, por edhe modernizimi strategjik i forcave të saj bërthamore po vonohet — të shpenzohen burime për këto armë ekzotike?

Një përgjigje mund të jetë se Rusia frikësohet se forcat e saj ekzistuese mund të vjetrohen nga gjeneratat e reja të sistemeve kundër-raketore. Në vitet 1980, sovjetikët i besuan zhurmës rreth ‘Strategic Defence Initiative’ të Ronald Reagan — e cila u quajt “Luftërat e Yjeve” — që synonte të siguronte një mburojë raketore me lazer, “gurë të ndritshëm” që vepronin në orbitë dhe sisteme të tjera spektakolare. Ajo doli e pazbatueshme, por inkurajoi Byronë Politike që të vazhdonte shpenzimet deri në kolaps, nga frika se një SHBA e aftë të neutralizonte aftësinë sovjetike për goditje të dytë mund të kërcënonte ose të nisë një sulm pa pasoja.

Megjithatë kjo ishte një fantazi — dhe po ashtu duket të jetë edhe “Kupola e Artë” e Trump. Nuk duket se sot në Moskë ekziston ndonjë besim serioz se Rusia është afër të bëhet e cenueshme. Pra, çfarë tjetër qëndron pas kësaj?

Në autokracitë e personalizuara, pasionet dhe shqetësimet e “monarkut” janë thelbësore. Në vitin 2018, Putini njoftoi me kënaqësi të dukshme gjashtë sisteme të reja armësh, duke i paraqitur ato si përgjigje ndaj riarmatimit amerikan. Dy prej tyre — raketa lundrimi hipersonike 3M22 Zircon dhe raketa balistike hipersonike Kh-47M2 Kinzhal — janë përdorur në Ukrainë. Raketat e rënda balistike RS-28 Sarmat po kalojnë ende një proces zhvillimi me pengesa. Pajisja rrëshqitëse hipersonike Avangard, në thelb një kokë lufte e fazës së fundit, raportohet se është në shërbim. Dhe pastaj janë Burevestnik dhe Poseidon.

Prezantimi i tij përmbante një video ku mbushjet bërthamore dukeshin se binin mbi atë që ngjante në mënyrë të dyshimtë si shtëpia shpirtërore e Trump — Florida. Putini nuk po përshkruante thjesht riarmatimin strategjik të Rusisë; ai po lëshonte një kërcënim për atë që mund të ndodhte nëse, siç e paraqiti ai, Perëndimi do të vazhdonte të armatoste dhe sfidonte Rusinë: “Askush nuk na dëgjoi atëherë. Prandaj na dëgjoni tani.” Që nga atëherë, propagandistët më toksikë rusë gjithashtu kanë bërë shaka me këto armë. Në vitin 2022, moderatori televiziv Dmitri Kiselev paralajmëroi Britaninë që të mos mbështeste Ukrainën, duke pretenduar (në kundërshtim me shkencën) se një Poseidon i vetëm mund ta zhyste Mbretërinë e Bashkuar nën një valë detare 500-metroshe bërthamore.

Edhe pse koha e testeve me gjasë u diktua më shumë nga progresi i projekteve, vendimi për t’i hiperbolizuar këto pajisje apokaliptike pasqyron klimën politike aktuale. Me Trump që ende lëkundet mbi Ukrainën — sanksionet e tij të fundit, në fund të fundit, nuk janë shoqëruar me ndihmë konkrete — Putini vazhdon të luajë me karotën dhe shkopin. Emisari i tij ekonomik, Kirill Dmitriev, sapo u kthye nga një vizitë praktikisht e pasuksesshme në SHBA, ku sërish u përpoq të nxiste perspektivat e bashkëpunimit ekonomik. Tani, kërcënimi bërthamor synon t’i kujtojë Trump se, në fund të fundit, Moska ka letra më të mëdha dhe me vlerë më të lartë sesa Kievi.

Këto sisteme mund të kenë pak vlerë reale. Mund të jenë të shtrenjta dhe të rrezikshme (thuhet se një test i Burevestnik në vitin 2019 dështoi dhe vrau pesë shkencëtarë). Por ato tërheqin vëmendje dhe bëjnë bujë në media (mjafton ta shikosh vetë këtë artikull). Në fakt, duket se tashmë kanë provokuar Trumpin drejt një rifillimi të menjëhershëm të testimeve bërthamore. Dhe Putinit, me sa duket, i pëlqen herë pas here të luajë rolin e Dr. Evil.