Topalli: Rendi i ditës me 25 pika, një 'absurditet', mazhoranca të reflektojë dhe të bëjë një reduktim të axhendës

Seanca parlamentare e ditës së sotme është shoqëruar me debate të ashpra, jo për përmbajtjen e ligjeve, por për vetë rendin e ditës, i cili është cilësuar si absurd dhe i parealizueshëm nga deputetët e opozitës.

Deputetja e opozitës Jozefina Topalli e ka quajtur rendin e ditës, me 25 pika, një "absurditet", duke argumentuar se është materialisht e pamundur të trajtohen të gjitha çështjet brenda një dite të vetme pune.

Sipas Topallit, axhenda përfshin shqyrtimin e veprimtarisë së dy institucioneve të drejtësisë, katër institucioneve të tjera, katër projektligjeve, dy komisioneve hetimore, raportimin e Bankës së Shqipërisë si dhe diskutime e pyetje të tjera. "Edhe sikur të diskutojmë gjithë natën, nuk e mbyllim dot as deri nesër në orën 12:00," deklaroi ajo.

Deputetja argumentoi se kjo ngarkesë e paprecedentë tregon një mungesë serioziteti ndaj institucioneve të rëndësishme të ngritura me ligj dhe Kushtetutë. Ajo paralajmëroi se pasojat e një trajtimi kaq sipërfaqësor do t'i paguajnë shteti, qytetarët dhe opinioni publik. Si zgjidhje, u propozua që mazhoranca të reflektojë dhe të bëjë një reduktim të axhendës ose ta ndajë atë në disa ditë, duke e shtyrë për ditët në vijim.

"Në qoftë se për secilën pikë nevojitet një orë, i bie që të kemi 26 orë punë përpara. Kjo nuk është racionale," përfundoi Topalli.

Topalli:

Rendi i ditës sot, më shumë se një rend dite normal, është një rend dite absurd. Të mendosh që brenda kësaj dite dhe tani ka kaluar 12:00, të diskutosh, të vësh pyetje, të shqyrtosh dy institucione të drejtësisë, katër institucione të tjera që ishin më përpara, katër projektligje, dy komisione hetimore dhe pika për çështje të rendit të ditës dhe t'i shtojmë kësaj raportimin e Bankës për Shqipërinë, diskutime, pyetje për Bankën e Shqipërisë, edhe projektligje të tjera, që të gjithë e kuptojmë që kjo nuk mund të ndodhë.

Qoftë edhe për kohën. Nuk e mbyll as deri nesër në ora 12:00 sikur të flasim, diskutojmë gjithë natën. Domethënë, përpiquni, përpiquni me sa të keni të mundur që një rend dite me 25 pikë të mos vendosni më. Është e pamundur, është irracionale. Sigurisht që s'kemi për ta mbyllur, por ajo që të bën të dyshosh është, në qoftë se ju i konsideroni kaq të parëndësishme këto organe të ngritura me ligj dhe me kushtetutë, këtë pastaj, të gjithë do e paguajnë si shtet, do e paguajnë si qytetarë, do e paguajnë si opinion publik.

Unë mendoj se ju duhet të mblidheni dhe të bëni një reduktim ose ta ndani, ta ndani për nesër, për pasnesër, apo ta lëni për të hënën. Nuk është racionale kjo që po bëjmë. Në qoftë se një orë është secili, i bie që të kemi 26 orë përpara, 12:00 deri nesër në ora 1:00 ne mos ndalemi. Nuk shkon, nuk është racionale.