Protesta e minatorëve/ Hoti: Balluku duhet të ishte në burg, po i shërbeni oligarkëve

Seanca parlamentare është zhvilluar nën tension, ndërkohë që jashtë dyerve të Kuvendit protestonin minatorët e Spaçit. Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e opozitës Elda Hoti ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar si të papranueshëm normalitetin e seancës përballë dramës së minatorëve, të cilët ndodhen prej një muaji në grevë.

Deputetja ka theksuar se minatorët nuk kërkojnë luks apo privilegje, por një zgjidhje për situatën e tyre. Ajo ka akuzuar parlamentin se po i shërben oligarkëve dhe bandave të krimit, në vend të qytetarëve. “Ministrat përgjegjës duhet të dilnin dhe t'i takonin dhe t'ju jepnin një zgjidhje minatorëve të Spaçit”, është shprehur ajo.

Kritikat më të ashpra i janë drejtuar Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Sipas deputetes, “ministrja Balluku duhet të ishte në SPAK dhe në burg dhe jo të vijë në mëngjes dhe pastaj të dalë dhe të promovojë drejtorët”.

Në përfundim, Hoti e ka quajtur situatën një “këmbanë alarmi” për mënyrën se si funksionon Kuvendi, duke akuzuar mazhorancën se “nuk i ka sytë tek qytetarët, por te tenderat korruptive”.

Elda Hoti: Në fakt nuk e di se si mund të vazhdojë normalitet kjo seancë, kur jashtë ti ke një protestë të minatorëve të Spaçit, të cilët prej një muaji janë në grevë dhe ato nuk po kërkojnë privilegje as luks, zoti kryetar, dhe nëse ky parlament është këtu për t'ju shërbyer qytetarëve dhe jo oligarkëve dhe bandave të krimit, ministrat përgjegjës duhet të dilnin dhe t'i takonin dhe t'ju jepnin një zgjidhje minatorëve të Spaçit.

Ministrja Balluku, e cila duhet të ishte në SPAK dhe në burg dhe jo të vijë në mëngjes dhe pastaj të dalë dhe të promovojë drejtorët, por duhet të dilnin dhe të takonin minatorët e Spaçit, të cilët po vuajnë nga kontratat korruptive të tuaja. Dhe kjo është më shumë se procedurë, zoti kryetar, sepse këtu po flitet për siguri në punë, këtu po flitet për dinjitet, këtu po flitet për jetën e atyre qytetarëve të cilët vuajnë çdo ditë në minierat e Spaçit.

Janë pushuar 16 minatorë nga puna dhe kjo bie ndesh me Kushtetutën, sepse ti të jesh në grevë, nuk mund të përjashtosh nga puna se do kompania ‘Tete Albania turke’. Dhe kjo bie ndesh me konventa ndërkombëtare, të cilat është aderuar Shqipëria, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me ligjin dhe kjo është një këmbanë alarmi se si është kthyer ky kuvend dhe nuk i ka sytë tek qytetarët, por i keni sytë te tenderat korruptive.