Publikohen pamje të tjera nga momenti i kapjes së 250 kg drogë në kamionin që po lëvizte drejt Prishtinës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se në operacionin ku u konfiskuan 250 kilogramë kanabis në Prishtinë ka qenë e përfshirë edhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Në një komunikatë për media ku janë dhënë detaje për aksionin, Dogana ka njoftuar se operacioni është bazuar mbi inteligjencën e siguruar nga AKI-ja.

Sipas Doganës substanca narkotike e llojit kanabis ka qenë e fshehur me kujdes në një automjet transportues.

“Operacioni është realizuar gjatë orëve të pasdites, kur njësia e Antikontrabandës e Doganës ka ndalur për kontroll një kamion që po lëvizte në drejtim të Prishtinës në autostradën ‘Ibrahim Rugova’. Pas një inspektimi të detajuar, dhe duke përdorur pajisjet profesionale të dhuruara nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zyrtarët doganorë kanë arritur të demontojnë panelet e fshehura të automjetit, ku ishin vendosur substancat narkotike”, thuhet në njoftim.

Në vendngjarje thuhet se kanë dalë edhe njësia antidrogë e Policisë së Kosovës dhe prokurorja kompetente. Personi përgjegjës thuhet se është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa procedurat ligjore janë në zhvillim.

LEXO EDHE: U kap me 200 kg drogë në një kamion në rajonin e Prishtinës, shoferi i dyshuar ndalohet për 48 orë

Siç u bë e ditur nga Prokuroria Speciale, në këtë rast është arrestuar S.J., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas njoftimit të publikuar, “i dyshuari S.J., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në kamionin që e po drejtonte i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substance narkotike, që dyshohet të jetë mbi 200 kg”.

“Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë së bashku me Prokurorinë Speciale, janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

I dyshuari me vendim të Prokurorisë Speciale është ndaluar për 48 orë.