Financat personale dhe inteligjenca artificiale: A duhet t'i besoni këshillave të investimeve të ChatGPT?
Investitorët me pakicë po i drejtohen gjithnjë e më shumë mjeteve të inteligjencës artificiale si ChatGPT për të marrë vendime financiare, duke sfiduar paralajmërimet e ekspertëve për rreziqet që mbart një praktikë e tillë. Pavarësisht se rregullatorët theksojnë se këto platforma nuk janë të autorizuara për të ofruar këshilla investimi, shumë përdorues i konsiderojnë si mënyra të shpejta dhe të lira për të analizuar tregjet.
Një raport i fundit nga platforma tregtare eToro tregon se gati një në pesë investitorë me pakicë tashmë përdor mjete të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në menaxhimin e portofolit, ndonëse rregullimi ligjor për këtë fushë mbetet ende në zhvillim. Sipas Autoritetit Evropian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA), asnjë mjet publik i AI nuk është aktualisht i autorizuar të ofrojë këshilla të drejtpërdrejta për investime, pasi kjo përbën një aktivitet të rregulluar në kuadër të Direktivës MiFID.
Megjithatë, shembujt e suksesit nuk mungojnë. Faqja e krahasimit Finder krijoi në vitin 2023 një fond të menaxhuar pothuajse tërësisht nga ChatGPT, i cili pas më shumë se dy vjetësh ka arritur një rritje prej afro 55%, duke tejkaluar mesataren e dhjetë fondeve më të njohura britanike me mbi 18 pikë përqindjeje.
Ekspertët, megjithatë, paralajmërojnë se rezultatet e tilla nuk garantojnë siguri afatgjatë. Lëvizjet e paparashikueshme të tregut dhe mungesa e kapacitetit të AI për të interpretuar kontekstin financiar me saktësi mund të çojnë në humbje të mëdha. OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, nuk komentoi mbi çështjen, por vetë boti pranon se duhet përdorur si mbështetje kërkimore, jo si zëvendësim i këshillave profesionale.
Sipas rregulloreve evropiane, firmat mund të përdorin inteligjencën artificiale për të analizuar profilin financiar të klientëve dhe për t’u ofruar rekomandime të personalizuara, por transparenca, auditueshmëria dhe mbikëqyrja njerëzore mbeten thelbësore.
Në sektorin financiar, AI tashmë përdoret gjerësisht për analiza tregu, menaxhim portofolesh dhe zbulim mashtrimesh. Një studim i botuar në Nature në vitin 2025 thekson se ChatGPT është efektiv në analizën e të dhënave të pastrukturuara, por rrezikon të prodhojë rezultate të pasakta nëse të dhënat hyrëse janë të gabuara – një fenomen i njohur si “halucinacion”.
Shembulli i kompanisë BridgeWise, e cila përdor algoritme të avancuara për kërkime dhe analiza investimi, e tregon qartë këtë kufi. CEO i saj, Gaby Diamant, paralajmëron se pyetje të përgjithshme si “A duhet të investoj në X?” mund të çojnë në përgjigje mashtruese. “Ne ofrojmë një mjet mbështetës për vendimmarrjen, por vendimin përfundimtar e merr njeriu”, thekson ai, duke shtuar se gjykimi njerëzor është ende i pazëvendësueshëm.
Ekspertët e fushës theksojnë se inteligjenca artificiale është në prag të një epoke të re të quajtur “IA agjentike”, ku sistemet do të mund të planifikojnë dhe kryejnë procese komplekse me pak ndërhyrje njerëzore. Kjo pritet të revolucionarizojë shërbimet financiare në vitet e ardhshme.
Tregu i këshillimit financiar të automatizuar, i njohur si “robot advisory”, parashikohet të rritet ndjeshëm, duke arritur vlerën e mbi 471 miliardë dollarëve deri në vitin 2029, sipas The Business Research Company. Por deri atëherë, ekspertët këshillojnë kujdes: ChatGPT mund të ndihmojë, por nuk mund të mendojë si një njeri./ Euronews - Syri.Net
Ky artikull nuk përbën këshilla financiare. Lexuesit këshillohen të bëjnë kërkimet e tyre përpara çdo vendimi investimi.