Sot seanca plenare, në rend dite kërkesa për shkarkimin e Niko Peleshit dhe ngritja e komisioneve hetimore

Kuvendi mblidhet sot në seancë plenar, e dyta kjo në një javë, ndërsa të hënën ishte seanca ku raportuar krerët e institucioneve të drejtësisë në vend si dhe u votua për krijimin e Komisioneve të Posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territorial.

Një nga pikat e rendit të Ditës është shqyrtimi i kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me pretendimin se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe rregulloren e këtij institucioni.

Seanca për shkarkimin e Peleshit parashikohet të nisë në orën 10:00, ndërkohë që gjatë ditës së sotme Kuvendi do të mblidhet në dy seanca plenare.

Ndërkohë në vijim, në seancën e orës 11:30, në Kuvend do të raportojnë mbi veprimtarinë e vitit 2024, krerët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Institutit të Statistikave, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Radiotelevizionit Shqiptar.

Po ashtu, Kuvendi do të shqyrtojë edhe kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”.

Ndër të tjera, Kuvendi do të miratojë edhe projekt-rezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.