Superliga, Real Madridi: Do të kërkojmë nga UEFA dëmshpërblim për dëmet e pësuara

Real Madridi është gati për një përplasje të hapur me UEFA-n, pas vendimit të Gjykatës së Madridit lidhur me çështjen e Superligës, e cila ka konfirmuar se organi më i lartë i futbollit evropian ka abuzuar me pozitën e tij dominuese. Përmes një komunikate zyrtare, klubi i Florentino Perez njoftoi se do të kërkojë “dëmshpërblimin për dëmet e konsiderueshme të pësuara”.

Gjykata e kryeqytetit spanjoll ka konfirmuar në apel se UEFA “ka abuzuar me pozitën e saj dominuese” duke tentuar të ndalojë krijimin e garës alternative evropiane në vitin 2021. Ky vendim është në vazhdën e asaj të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian në vitin 2023, e cila kishte konstatuar se UEFA dhe FIFA kishin ushtruar pushtet të tepruar, duke penguar konkurrencën e lirë në tregun e futbollit kontinental.

Sipas agjencisë AFP, gjykata spanjolle ka vendosur se të dy organizatat “kanë penguar konkurrencën e lirë duke vendosur kufizime të pajustifikuara dhe joproporcionale ndaj Superligës”.

Në komunikatën zyrtare të Real Madridit thuhet:

“Real Madridi mirëpret vendimin e Gjykatës Provinciale të Madridit për të refuzuar ankesat e paraqitura nga UEFA, RFEF dhe La Liga, duke konfirmuar se UEFA, në lidhje me çështjen e Superligës, ka shkelur rëndë rregullat e konkurrencës së lirë të Bashkimit Evropian, në përputhje me vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, duke abuzuar me pozitën e saj dominuese. Ky vendim hap rrugën për kërkesën e dëmshpërblimeve të mëdha për dëmet e shkaktuara klubit.”

Në të njëjtin njoftim, Real Madridi bën të ditur se gjatë vitit 2025 ka zhvilluar shumë bisedime me UEFA-n për të gjetur zgjidhje mbi qeverisjen transparente, qëndrueshmërinë financiare, mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve dhe përmirësimin e përvojës së tifozëve, përfshirë transmetimet falas dhe të aksesueshme globalisht, si në rastin e Botërorit për Klube. “Për pasojë,” përfundon deklarata, “klubi do të vazhdojë të punojë për të mirën e futbollit botëror dhe të tifozëve, ndërkohë që do të kërkojë nga UEFA dëmshpërblimin për dëmet e pësuara.”