Milan, më në fund ja ku është Jashari: nga nesër shqiptari dhe Estupiñán do të stërviten me grupin
Pas një vere të gjatë ndjekjesh dhe pritjesh, më në fund po nis vërtet aventura e Ardon Jasharit me Milanin. Pas transferimit në Milano për mbi 40 milionë euro, mesfushori zviceran u dëmtua menjëherë në një përplasje në stërvitje me Santiago Gimenez, duke pësuar një frakturë të kockës së kërcirit që e mbajti jashtë fushës për më shumë se dy muaj. Sot, në Milanello, ai ka kryer ende një program individual me stafin teknik, por që nga nesër do të bashkohet me pjesën tjetër të skuadrës.
Së bashku me të do të rikthehet edhe Pervis Estupiñán, i cili është shëruar plotësisht nga një dëmtim në kyçin e këmbës të pësuar me kombëtaren e tij gjatë pushimit të fundit. Mbrojtësi i majtë nga Ekuadori nuk ka luajtur që nga 28 shtatori, kur u përjashtua në ndeshjen ndaj Napolit, por tani është gati dhe mund të jetë në dispozicion të Allegrit për ndeshjen e së dielës në “San Siro”, kundër Romës së Gasperinit. Megjithatë, është e vështirë që ai të nisë si titullar, pasi Davide Bartesaghi, që e ka zëvendësuar në krahun e majtë, ka treguar formë të mirë dhe përparim të vazhdueshëm.
Jashari, megjithatë, do të mungojë ende ndaj Romës, sepse duhet të punojë për të rikthyer formën e plotë fizike. Ai pritet të jetë gati pas pushimit, në derbin e 23 nëntorit. Allegri e sheh atë si lojtarin ideal për rolin e organizatorit përpara mbrojtjes, ku do të alternohet me Luka Modric-in, i cili deri tani i ka luajtur të gjitha ndeshjet dhe në Bergamo u duk më pak i freskët.
Sa i përket Rabiot dhe Christian Pulisic, të dy do të rikthehen pas pushimit, edhe pse trajneri shpreson që amerikanin ta ketë në grup pas ndeshjes me Romën. “Duhet të qëndrojmë të fortë edhe dhjetë ditë”, tha Allegri, i cili sheh se emergjenca e dëmtimeve në Milan po afrohet drejt fundit.