Monopole, përjashtime dhe taksa të dyfishta: Debatet në Komision për Ligjin e Ri të Mbetjeve

Shqyrtimi i projektligjit për përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve në komisionin parlamentar u shoqërua me një sërë pyetjesh dhe shqetësimesh nga deputetët.

Një nga pikat kryesore të debatit ishte vendimi për të përjashtuar përkohësisht ambalazhet e plastikës dhe qelqit nga skema e re, një lëvizje e justifikuar nga ministria si një mënyrë për të shmangur taksimin e dyfishtë, por që ngjalli pikëpyetje.

Një tjetër shqetësim madhor ishte rreziku i mundshëm i krijimit të monopoleve. Projektligji lejon që shoqëritë menaxhuese të mbulojnë deri në 70% të tregut, një shifër që sipas deputetëve të opozitës mund të çojë në dominimin e tregut nga një operator i vetëm, duke dëmtuar konkurrencën dhe bizneset e vogla. Gjithashtu, u kërkua sqarim pse ligji nuk përfshin rryma të tjera të rëndësishme mbetjesh, si gomat dhe vajrat e përdorur, duke u lënë ato për t'u rregulluar më vonë me akte nënligjore. Këto debate tregojnë kompleksitetin e zbatimit të kësaj reforme të rëndësishme mjedisore.

Haxhinasto:  Ju pse keni pritur deri tani për për këto ndryshime, për këtë, për këtë ligj me një fjalë? Ka një detyrim që vini tani në këtë moment për këtë ligj, apo është majisur një problem edhe ju doni ta zgjidhni? E para. E dyta, me sa kuptova ka një përjashtim të prodhuesve që kanë lidhje me paketimet plastike dhe të qelqit. Ka një arsye për këtë dhe cila është arsyeja? E treta, nëse dëshironi në fund pastaj t'ju jap edhe pika specifike, po janë, ka nevojë ligji për një korrektim, sepse keni disa referenca që janë lapsuse. Për shembull, ligji domethënë neni 30, ndërkohë që keni 27 nene. Ju në fakt e dhatë përgjigjen, po pyetja ime është për disa produkte të tjera si gomat e përdorura, për vajrat e përdorur e të tjerë e të tjerë. Nuk i keni këtu apo jo? Nuk i keni këtu dhe si do jetë do të bëni aktin nënligjorë. Pse nuk i vendosni edhe ato këtu? Edhe pyetja më e rëndësishme se kishit vëmendjen. Apo shkojmë drejt një situate monopol në trajtimin e këtyre mbetjeve, sepse strategjia e ka derën jo të hapur po të shqyer për ta për ta bërë këtë gjë. Integrimi, monopolet janë gjithmonë të rrezikshme i dashur.

Kapri: Dhe unë kam disa pyetje zonja zëvendësministre. Dua të kuptoj, me këtë projektligj që ju synoni për prodhuesit vendorë, unë nuk pashë ndonjë nen që ndalon importin e këtyre mbetjeve që ju përmendi në projektligj. Tani dua të kuptoj, do importojnë këta prodhuesit? Pra bëhet fjalë vetëm çfarë ka këtu brenda apo i jepet e drejta që të importojnë? Pra të gjitha ju këto produktet, makina, bateri e të tjerë e të tjerë. Së dyti, u ngrit dhe këtu një shqetësim pse vetëm këto mbetje? Përmendet sikur që do bëhen me VKM. Domethënë pse disa në VKM? Pyetja është kjo, domethënë pse nuk bëhet një listim në ligj i të gjithë mbetjeve që ju mendoni se duhet të jenë pjesë e këtij projektligji. Po pjesa më e rëndësishme është kjo pjesa nëse lejohet importi ose jo. Se në dijeninë time ka ligj, ka dhe vendim të Këshillit të Ministrave që ndalohet importi i mbetjeve. Së dyti, a rrezikojmë të kemi një dyfishim të taksave për këta sepse nga njëra anë do vendosim taksa të reja, nga njëra anë ata kanë një barrë aktuale fiskale. Pra si do bëhet kjo? Do paguhen dyfish taksa këta, këto lloj biznesesh? Tjetër, ju vendosni këtë kufirin 25-70% të tregut në në projektligj. Unë nuk e kam parë ndonjë projektligj tjetër këtë gjë. Nuk e di ku e keni marrë. Në parim është që çdo kompani në një treg të caktuar që kalon 25%-in konsiderohet si një lloj kompanie monopol në treg.

Edhe këtu duket sikur ju po e çoni vetë drejt monopolizimit, sikur një kompani të marrë gjithë këtë treg. Pra nuk i lini mundësi dhe një konkurencë reale të gjithëve operatorëve, aq sa mund të jenë. Dhe kjo është një shqetësim tjetër që ka biznese të vogla e të mesme që merren me këto mbetjet. Sidomos të industrinë e këtyre makinave. Pra bateri, këto varrezat e makinave, e të tjerë, që kanë qenë 30 vjet historikisht këtu. Këta duket sikur ju i përjashtoni nga tregu në vend që t'i formalizoni ose të jenë pjesë e kësaj. Tjetër, ka një… ju vendosni që këto kompani do bëjnë edhe një shpenzim për ndërgjegjësim, pra reklama. Si do e monitoroni ju sepse këto mund të jenë dhe shpenzime fiktive në në këtë sens?