Arrihet marrëveshja e re tregtare! Koreja e Jugut njofton uljen e tarifave me SHBA
SHBA dhe Koreja e Jugut kanë arritur një marrëveshje të gjerë tregtare, njoftuan të dyja vendet pas takimeve mes liderëve të tyre. Ndihmësi presidencial i Koresë së Jugut, Kim Yong-beom, tha se të dyja palët do të ulin tarifat reciproke nga 25% në 15%, siç ishte rënë dakord më herët këtë vit. Koreja e Jugut do të investojë gjithashtu 350 miliardë dollarë në SHBA, përfshirë 200 miliardë në investime cash dhe 150 miliardë në industrinë e ndërtimit të anijeve, tha Kim.
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ndodhet në një udhëtim një javor në Azi, tha se marrëveshja ishte “pothuajse finalizuar” gjatë një darke pas diskutimeve që zgjatën gati dy orë. Ai nuk dha më shumë detaje. “Kishim një takim të jashtëzakonshëm sot me Korenë e Jugut”, tha Trump për diskutimet me presidentin koreano-jugor Lee Jae Myung, duke shtuar se “u vendosën shumë gjëra”.
“Diskutuam edhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë kombëtare etj. Dhe mendoj se arritëm në përfundime për shumë pika të rëndësishme”.
Sipas BBC, të dyja palët kishin minimizuar mundësinë e një përparimi përpara takimit të së mërkurës, duke zhgënjyer shumë sektorë në Korenë e Jugut, si elektronika, çipet dhe industria automobilistike, të cilat prisnin qartësi mes kaosit tarifor.
Trump kishte vendosur më herët këtë vit një tarifë prej 25% ndaj Seulit, të cilën Lee arriti ta negocionte në 15%, pasi Koreja e Jugut premtoi investime prej 350 miliardë dollarësh në SHBA dhe blerje të gazit të lëngshëm natyror në vlerë prej 100 miliardë dollarësh. Por më vonë, Shtëpia e Bardhë rriti kërkesat si pjesë e negociatave tregtare, me Trump që shtyu për investime të drejtpërdrejta cash në SHBA.
Të dy vendet kanë qenë historikisht aleatë të ngushtë, por tensionet u rritën pasi qindra qytetarë koreano-jugorë u ndaluan gjatë një bastisjeje për emigracionin në SHBA muajin e kaluar.
Trump do të takohet të enjten me homologun e tij kinez Xi Jinping, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (Apec), i cili po zhvillohet në Gyeongju.
Ministria e Jashtme e Kinës ka konfirmuar takimin, i cili do të mbahet në qytetin e Busanit të enjten, një fluturim i shkurtër larg nga Gyeongju.
Presidenti amerikan tha të mërkurën se ishte “duke e pritur me padurim” takimin.
“Kemi folur shumë gjatë muajit të fundit dhe mendoj se do të kemi diçka që do të jetë shumë, shumë e kënaqshme për Kinën dhe për ne”.
Ky do të jetë takimi i parë ballë për ballë mes dy liderëve që kur Trump mori detyrën në vitin 2025 dhe vendosi tarifa ndaj çdo vendi në botë.
Duke iu drejtuar një grupi CEO-sh në Gyeongju të mërkurën, Trump tha se beson se SHBA “do të ketë një marrëveshje” me Kinën dhe se do të jetë “një marrëveshje e mirë për të dyja palët”.
Ai gjithashtu lavdëroi vendet e Apec për përpjekjet për të reformuar sistemin tregtar global, të cilin e quajti “të thyer” dhe “në nevojë urgjente për reformë”.
“Siguria ekonomike është siguri kombëtare”, tha Trump. “Kjo vlen për Korenë e Jugut, kjo vlen për çdo vend”.