SYRI TV/ Eurodeputetët kritikë me Shqipërinë, Terhes: Një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit, duhet të zgjoheni
Deputetët e Parlamentit Europian u treguan të ashpër gjatë takimit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian, duke ngritur alarmin për shtetin e së drejtës në Shqipëri, mungesën e demokracisë dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Deputetët e opozitës denoncuan në tryezë, me fakte dhe prova, lidhjet e qeverisë me krimin dhe manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.
SYRI TV
Eurodeputetët e pranishëm në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Europian ngritën alarmin për situatën aktuale të shtetit ligjor në Shqipëri, për ecurinë e reformës në drejtësi, mungesën e demokracisë dhe nivelin e lartë të korrupsionit. Eurodeputeti rumun Christian Terheș shprehu shqetësimin për implementimin e reformës në drejtësi, duke thënë se pavarësisht çfarë shkruhet në letër, vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit është një alarm i fortë që duhet të zgjojë të gjitha palët.
Eurodeputetët Fredi Beleri dhe Arba Kokalari deklaruan se mosrespektimi i shtetit të së drejtës dhe i normave të BE-së do të sjellë pasoja për Shqipërinë.
Cristian Terheș:
“Nëse duhen 15 vite që një çështje të përfundojë në Shqipëri, atëherë është më e lehtë që dikush ta marrë drejtësinë në duart e veta. Kohët e fundit një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit dhe kur e pashë në media, shumë njerëz lavdëruan vrasësin. Thanë se është e rëndë, sepse u deshën dekada për ta përfunduar çështjen. Ai e kuptoi që nuk mund të merrte drejtësinë duke respektuar ligjin dhe vendosi ta bënte vetë drejtësinë, duke vrarë gjykatësin. Kjo duhet të jetë një thirrje që t’ju zgjojë të gjithëve, jo vetëm juve në Parlament, por edhe shoqërinë civile, institucionet, të gjithë ju që jeni këtu. Sepse reforma në letër mund të duket shumë mirë, por nëse shpërfillni atë që ndodh në shoqëri, atëherë kjo gjë do të shpërthejë.”
Nga ana tjetër, deputetët e opozitës të pranishëm në tryezë denoncuan me fakte, duke iu referuar edhe raporteve ndërkombëtare, manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit, lidhjet e qeverisë me krimin dhe korrupsionin në nivele të larta në qeverinë Rama.
Ne nuk kemi paguar lekët e BE-së kur Polonia nuk po zbatonte parimet e shtetit të së drejtës. Ndaluam dhe pagesat e Hungarisë kur qeveria po bënte zhvillime të ndryshme antidemokratike. Nuk do të kemi asnjë tolerancë përkundrejt shteteve anëtare që nuk po zbatojnë vlerat bazë të kritereve të Kopenghagen dhe vlerat e BE-së, tha Arba Kokalari.
Deputetët e opozitës ngritën gjithashtu shqetësimin për situatën e lirisë së medias në vend dhe për mosrespektimin e të drejtave të njeriut.