Rumania: SHBA-të do të reduktojnë trupat në krahun lindor të NATO-s

Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të reduktojnë një pjesë të trupave të tyre të dislokuara në krahun lindor të NATO-s.

Sipas autoriteteve rumune, në vend do të mbeten midis 900 dhe 1 mijë trupa amerikane, nga rreth 1 mijë e 700 që ndodheshin aktualisht. Ministria theksoi se vendimi ishte i pritshëm dhe përfaqëson “riformësimin” e pranisë amerikane, në përputhje me prioritetet e reja të administratës së presidentit Donald Trump.

Ministri rumun i Mbrojtjes, Ionut Moșteanu, bëri të ditur se homologu i tij amerikan, Pete Hegseth, u kishte përcjellë së fundmi partnerëve evropianë mesazhin se ata duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mbrojtjes së tyre, ndërsa Uashingtoni po e zhvendos fokusin drejt rajonit Indo-Paqësor.

Sipas Moșteanu-t, një brigadë amerikane e vendosur në bazën ajrore Mihai Kogălniceanu, që pritet të bëhet më e madhja e NATO-s në Evropë, do të tërhiqet dhe nuk do të zëvendësohet. Ai shtoi se kjo brigadë ka “elementë” edhe në Bullgari, Rumani, Sllovaki dhe Hungari, por nuk është ende e qartë nëse do të ketë tërheqje trupash edhe nga këto vende.

Ndërkohë, ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, deklaroi të mërkurën se Varshava “nuk ka marrë asnjë informacion” për një mundësi zvogëlimi të trupave amerikane në territorin e saj. BBC ka kërkuar koment nga Pentagoni, por ende nuk ka një reagim zyrtar.

Moșteanu sqaroi gjithashtu se prania e trupave amerikane në bazat Deveselu dhe Campia Turzii do të mbetet e pandryshuar. Që prej marrjes së detyrës në janar, presidenti Trump e ka bërë të qartë synimin për të zhvendosur fokusin e angazhimit ushtarak amerikan nga Evropa drejt Indo-Paqësorit, duke u kërkuar njëkohësisht aleatëve evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.

Megjithatë, njoftimi për tërheqjen e trupave nga Rumania ka shkaktuar shqetësim në disa vende të Evropës Lindore, të cilat ndihen ende të kërcënuara nga një agresion i mundshëm rus. Pas deklaratës së Bukureshtit, një zyrtar i NATO-s theksoi se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës mbetet “i qartë” dhe se “rregullime të tilla nuk janë të pazakonta”.

“Sidoqoftë, edhe me këtë rregullim, prania ushtarake amerikane në Evropë mbetet më e madhe se në shumë vite më parë, me ndjeshëm më shumë forca të dislokuara në kontinent se përpara vitit 2022”, tha zyrtari në një deklaratë.

Aktualisht, SHBA ka mbi 100 mijë personel ushtarak të dislokuar në Evropë, sipas të dhënave të fundit të vitit të kaluar.

Muajin e kaluar, NATO njoftoi krijimin e një misioni të ri të quajtur “Eastern Sentry”, i cili synon të rrisë vigjilencën e aleancës përgjatë gjithë krahut lindor. Vendimi u mor pasi një duzinë dronësh rusë shkelën hapësirën ajrore të Polonisë, incidenti më serioz i këtij lloji që nga fillimi i luftës në shkurt 2022. Disa ditë më vonë, Rumania raportoi një rast të ngjashëm me një dron rus, ndërsa Estonia akuzoi avionët luftarakë rusë për shkelje të hapësirës së saj ajrore.