Protestë para Ministrisë së Ekonomisë/ Naftëtarët në grevë urie, kërkohet ndërhyrja urgjente e qeverisë

Dhjetëra qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sindikatave u mblodhën sot para Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në një protestë solidariteti me rreth 200 naftëtarë të Marinzës, të cilët kanë hyrë në ditën e 15-të të grevës së urisë.

Protestuesit ngritën zërin kundër heshtjes së institucioneve shtetërore, duke kërkuar një ndërhyrje të menjëhershme për zgjidhjen e krizës.

Një përfaqësues i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor e cilësoi grevën e naftëtarëve si një "sakrificë sublime" për dinjitet, të drejta dhe të ardhmen e familjeve të tyre.

Ai kritikoi ashpër indiferencën e qeverisë dhe shoqërisë civile, duke theksuar se detyra minimale e institucioneve është të dëgjojnë kërkesat e punëtorëve, pavarësisht nëse i gjykojnë të drejta apo jo.

Protestuesit paraqitën katër pika kryesore të konfliktit: diferencat kolosale të pagave midis punëtorëve dhe drejtuesve të kompanisë "Bankers Petroleum", kushtet e vështira dhe mungesa e investimeve në sigurinë në punë, dhe mbi të gjitha, dështimin e ministrisë për të luajtur rolin e saj ligjor si ndërmjetëse në konflikt.

"A duhet të presim të ndodhë një tragjedi që dikush të lëvizë?", pyeti retorikisht një nga folësit, duke e quajtur mosveprimin e qeverisë një "procedurë burokratike për të matur pulsin" e grevistëve.

Përfaqësues të shoqërisë civile e quajtën heshtjen e ministrisë një "shkelje të dytë" të të drejtave të punëtorëve, pas asaj nga vetë kompania. U vu në dukje se nafta është një pasuri kombëtare dhe punëtorët që e nxjerrin atë meritojnë trajtim me dinjitet.

Një protestuese iu drejtua drejtpërdrejt ministres, duke i kujtuar deklaratat e saj për rritje ekonomike dhe mirëqenie, dhe duke i kërkuar që "përpos leksioneve me reels në Instagram, të dalë zyrtarisht dhe të bëjë ndërmjetësimin mes punëtorëve dhe kompanisë".

Protesta shërbeu gjithashtu si një akt solidariteti edhe për minatorët e Spaçit, të cilët gjithashtu ndodhen në protesta për kushte më të mira pune dhe paga më të larta nga kompania turke që menaxhon minierën.

Thirrja e përbashkët ishte e qartë: shteti duhet të marrë përgjegjësitë e tij dhe të ndërhyjë për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve përpara se situata të përshkallëzohet.