SYRI TV/ Tre vrasje me thikë në vetëm 120 minuta, shkaqet janë banale...
Në harkun kohor të 120 minutave pasditen e së martës u regjistruan 3 vrasje në Tiranë, Durrës dhe Berat, teksa Syri Tv ka zbardhur detaje nga dinamika e këtyre krimeve.” Mos e prek kalin se është i acaruar sot" ka qenë kjo fjali që ndezi debatin në Kalanë e Beratit mes 63 vjeçarit Kristo Mema dhe 42-vjeçarit Keli Hoxha, që i mbeti i vdekur pasi u qëllua më thikë nga 63-vjeçari. Ndërkohë në Tiranë Filip Shehu që vrau me thikë kolegun e tij picajol, rezulton se me precedent të mëparshëm penalë, teksa krimi ndodhi në sy të klientëve në mes të lokalit. Në Durrës 25-vjeçari Marjan Kodheli ka rrëfyer se babain e tij, Pjetër Kodhelin, e vrau pas sherrit që nisi në tavolinën e bukës.
Syri TV
3 vrasje më thikë në vetëm 120 minuta tronditën vendin pasditen e së martës, teksa Syri Tv ka mundur të mësojë detaje për tre ngjarjet e rënda.
Berat
"Mos e prek kalin se është i acaruar sot", pas kësaj shprehjeje ka filluar debati i djeshëm në Kalanë e Beratit, mes autorin dhe viktimës. Burime zyrtare nga Policia Berat bëjnë me dije se autori i ngjarjes,63-vjeçari Kristo Mema,pasi ka parë shtetasin Keli Hoxha që preku me dorë kalin i ka thënë që mos ta prekte më pasi kali-sipas tij-nuk ishte mirë dhe ishte i acaruar. Autori i ngjarjes ka dëshmuar në polici se pasi i ka thënë kështu, viktima e ka sharë nga familja dhe e ka ofenduar. Më pas,ai ka deklaruar se, në gjaknxehtësi e sipër, ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka qëlluar me thikë. Krimi i rendë ka ndodhur në sy të dy fëmijëve të mitur dhe bashkëshortes së Keli Hoxhës, 42-vjeçarit nga Tropoja. Ata kanë deklaruar se familjari i tyre nuk e ka sharë dhe as ofenduar, por pronari i kalit e ka qëlluar me thikë papritur, pasi i kishte thënë "mos e prek kalin" dhe viktima i ishte përgjigjur "s’ka asgjë të keqe".
Tiranë
Ndërkohë detaje të rënda kanë dalë në dritë dhe për vrasjen e 36-vjeçarit Indrit Ismailllari, picajol në një lokal në zonën e Komunës së Parisit, që u vra nga kolegu i tij 41-vjeçar Filip Shehu. Policia njofton gjithashtu se autori është person me precedentë të mëparshëm penal për veprën “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.Autori i vrasjes Filip Shehu para uniformave blu në dëshminë e tij ka pretenduar se Indrit Ismailllari e ngacmonte gjithë kohës. Por ky pretendim i 41-vjeçarit nuk ka bindur policinë pasi ka marrë dhe dëshmitë e personave të tjerë të stafit të cilët kanë mohuar që midis Shehut dhe Ismaillarit të ketë pasur konflikte Vrasja ka ndodhur në mes të lokalit ne sy të shumë klientëve, ku autori e ka goditur me thikë në qafë viktimën. Ka qenë ndërhyrja e stafit të lokalit që ka neutralizuar autorin, pasi ky i fundit nuk e ndalonte sulmin ndaj viktimës.
Durrës
Ndërkohë një krim tronditës u shënua dhe në Durrës, ku 25 vjeçari Marjan Kodheli vrau me thikë babain e tij 69 vjeçarin Marjan Kodheli.
Djali që qëlloi për vdekje me thikë babain në Durrës ka dhënë dëshminë para oficerëve të policisë gjyqësore duke dhënë detaje për vrasjen.
“Nuk më linte të haja i qetë. Nuk e mbaj mend pse ndodhi, por kemi pasur grindje të vazhdueshme që kur jam kthyer nga Greqia, para gjashtë muajsh. Kam jetuar në Francë, jam me pasaportë franceze. Atje kam qëndruar rreth gjashtë vjet dhe më pas kam shkuar në Greqi, ku kam punuar për gjashtë muaj. Nga Greqia jam kthyer në shtëpi dhe isha i papunë. Kemi pasur debate me babain. Sherri ndodhi teksa hanim drekë. Nuk e di si ndodhi, mora thikën dhe e qëllova”.
Pas krimit, Marjan Kodheli është larguar nga vendi i ngjarjes, por është vënë në pranga pas dy orësh nga policia ne lagjen numër 13 në Durrës te Shkëmbi i Kavajës, tek biznesi i motrës së tij.