Raport alarmues: Ndryshimet klimatike po shkaktojnë mijëra vdekje shtesë çdo vit

Një studim i ri i publikuar nga revista shkencore The Lancet paralajmëron se ndikimi i ndryshimeve klimatike në shëndetin e njeriut po përkeqësohet me ritme shqetësuese. Sipas raportit, dështimi global për të reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe për t’u përshtatur me realitetin e ngrohjes globale po përkthehet në pasoja të rënda për jetën, shëndetin dhe mirëqenien e miliona njerëzve.

Raporti, pjesë e projektit Lancet Countdown, analizon 20 tregues shëndetësorë të ndërlidhur me klimën dhe tregon se 13 prej tyre kanë arritur nivele rekord. Shkalla e vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është rritur me 23% që nga vitet 1990, duke arritur në 546,000 vdekje në vit, ndërsa viti 2024 u regjistrua si më i nxehti në histori. Në të gjithë botën, një person mesatar u ekspozua ndaj 16 ditëve me temperatura të rrezikshme për shëndetin, një rritje prej 389% krahasuar me periudhën 1986–2005.

Nxehtësia ekstreme dhe thatësirat po nxisin gjithashtu zjarre masive në pyje, ndotje të ajrit dhe mungesë ushqimi. Vetëm gjatë vitit 2024, ndotja nga tymi i zjarreve u lidh me 154,000 vdekje, ndërsa 123 milionë persona të tjerë u përballën me pasiguri ushqimore. Po ashtu, 2.5 milionë vdekje çdo vit i atribuohen ndotjes së ajrit nga lëndët djegëse fosile.

Drejtoresha e Lancet Countdown, Dr. Marina Romanello, e përshkroi raportin si “një pamje të zymtë dhe të pamohueshme” të krizës klimatike. Ajo paralajmëroi se “shkatërrimi i jetëve dhe mjeteve të jetesës do të vazhdojë të përshkallëzohet derisa t’i japim fund varësisë nga lëndët djegëse fosile”.

Ndërkohë, Europa po përballet me pasoja të dyfishta, pasi po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale. Numri i ditëve me valë të nxehti pritet të trefishohet, me rrezik të lartë për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Sëmundjet infektive si Chikungunya dhe dengue po përhapen gjithashtu më gjerësisht për shkak të temperaturave të larta, ndërsa shumë qytete evropiane nuk janë të përgatitura për këto kushte ekstreme.

Ekspertët theksojnë se veprimet e menjëhershme mund të shpëtojnë jetë. Kalimi nga qymyri në energji të rinovueshme mund të shpëtojë rreth 160,000 jetë në vit, ndërsa rregullimi i dietave dhe reduktimi i konsumit të mishit mund të ulë ndjeshëm emetimet dhe vdekjet e parakohshme.

“Ndërsa disa qeveri mbështesin një status quo të paqëndrueshme dhe të pashëndetshme, njerëzit në mbarë botën po paguajnë çmimin përfundimtar,” tha profesori Anthony Costello, bashkëkryetar i projektit. Ai apeloi për “veprim kolektiv dhe një tranzicion të drejtë që të mbrojë shëndetin dhe jetën e njerëzve në çdo kontinent.”