Rënia globale e besimit të prindërve tek vaksinat e fëmijëve lidhet me rikthimin e fruthit

Një studim ndërkombëtar i udhëhequr nga Fakulteti i Mjekësisë Azrieli në Universitetin Bar-Ilan zbulon se pandemia e COVID-19 ka ulur besimin publik te vaksinat e fëmijëve, duke çuar në rënie të normave të vaksinimit dhe në rikthimin e sëmundjeve të rrezikshme si fruthi. Kjo ndodh në një periudhë kur Izraeli po përballet me një nga shpërthimet më të rënda të fruthit në dekada, me mijëra infeksione dhe disa vdekje fëmijësh.

Studimi, i botuar në revistën Vaccine, përfshiu 2047 prindër në Izrael dhe Mbretërinë e Bashkuar, me fëmijë të lindur para dhe pas pandemisë. U konstatua se vaksinimi me dozat kryesore si MMR (fruth-shytë-rubeolë) dhe DTP (difteria-tetanozi-pertusis) ka rënë ndjeshëm. Në Britani, mbulimi me MMR ra nga 97.3% në 93.6%, ndërsa në Izrael nga 94.3% në 91.6%. Rënie të ngjashme u vunë re edhe për DTP. Rreth 5% e prindërve britanikë dhe 6.6% e izraelitëve që kishin vaksinuar një fëmijë më të madh para pandemisë, nuk e vaksinuan fëmijën e lindur më pas.

Sipas prof. Michael Edelsteinit, "Pandemia e COVID-19 ka ndikuar dukshëm në qëndrimet e prindërve ndaj vaksinave. Edhe një zhvendosje e vogël prej 5% mjafton për të nxitur shpejt shpërthime të reja."

Në vitin 2024, në Angli u regjistruan gati 3000 raste të fruthit, niveli më i lartë që nga viti 2012. Izraeli raportoi mbi 1800 raste deri në tetor dhe të paktën tetë vdekje fëmijësh nën 2 vjeç, të gjithë të pavaksinuar.

Frika nga efektet anësore është arsyeja kryesore e hezitimit ndaj vaksinave, e përmendur nga 92% e prindërve në MB dhe 63% në Izrael. Rënie më të forta u vunë re mes prindërve me origjinë aziatike në Britani dhe në komunitetet ultraortodokse e arabe në Izrael.

Studiuesit paralajmërojnë se edhe ulje të vogla në normat e vaksinimit mund të dëmtojnë imunitetin kolektiv dhe të rikthejnë sëmundje të shmangshme. Ata kërkojnë fushata të qarta komunikimi e ndërgjegjësimi për të rikthyer besimin dhe për të parandaluar humbjen e dekadave të përparimit në parandalimin e sëmundjeve. / Medicalxpress - Syri.net