Ivi Kaso: Nëse Europa nuk vepron tani, Shqipëria do të rrëshqasë drejt totalitarizmit

Deputeti i PD Ivi Kaso, në fjalën e mbajtur në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, i drejtoi një apel të fortë përfaqësuesve të Parlamentit Europian mbi gjendjen e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri. Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve europianë, por njëkohësisht theksoi se procesi i integrimit europian nuk mund të ecë përpara pa zgjedhje të lira, drejtësi të pavarur dhe meritokraci reale.

Në fjalimin e tij, Kaso u ndal gjerësisht te zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, të cilat, sipas tij, “nuk ishin as të lira, as të ndershme, por një farsë e organizuar nga pushteti me mbështetjen e strukturave shtetërore dhe rrjeteve kriminale”. Ai përmendi konstatimet e OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që kanë ngritur shqetësime për përdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votave, frikësimin e administratës dhe mungesën e barazisë në garë.

Sipas Kasos, “kapja e institucioneve, përfshirja e grupeve kriminale dhe kontrolli i medias kanë shkatërruar standardet demokratike”, ndërsa opozita, pavarësisht pengesave dhe përjashtimeve nga proceset parlamentare, mbetet e vendosur të mbështesë çdo hap që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian. Ai paralajmëroi se “nëse Europa nuk vepron tani, Shqipëria rrezikon të rrëshqasë drejt një regjimi autoritar”, duke e konsideruar veprimin e BE-së vendimtar për të ardhmen demokratike të vendit.

Fjala e Kasos në Komitetin e Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri

Të nderuar përfaqësues të Parlamentit Europian,
Të nderuar kolegë deputetë,

Në radhë të parë më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme dhe për vullnetin politik që ekziston sot për Shqipërinë europiane.

Ne, opozita shqiptare, ndonëse të përjashtuar nga shumë procese, edhe brenda vetë Parlamentit, jemi të përgatitur dhe të vendosur për të bërë gjithçka që të avancojmë agjendën e integrimit europian. E kemi deklaruar edhe më parë që do të mbështesim çdo akt që lidhet me procesin e integrimit në BE. Thënë këtë, vlerësoj se përfshirja dhe pjesëmarrja jonë nuk janë një privilegj – por një kusht themelor demokratik për legjitimitet dhe përparim.

Por përveç vullnetit politik dhe orientimit gjeostrategjik, Shqipëria ka nevojë për të ndërtuar meritokraci, drejtësi dhe, mbi të gjitha, të arrijë të mbajë zgjedhje të lira.

ZGJEDHJET

Më 11 maj 2025, Shqipëria, e përshkruar gjerësisht si shteti i parë narkotik në Europë, zhvilloi zgjedhje parlamentare që konfirmuan shqetësimet serioze për rrënimin e standardeve demokratike.

OSBE/ODIHR vuri në dukje se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis tejet të polarizuar, me abuzim të burimeve shtetërore, presion ndaj votuesve dhe mungesë të kushteve të barabarta për garuesit. Në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET, 4 qershor 2025), eurodeputeti Michael Gahler paralajmëroi për rrjete kriminale të ngulitura që mbajnë pushtetin politik për të mbrojtur pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.

Gjithashtu, edhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës (PACE) kërkoi ndarjen e qartë mes partisë në pushtet dhe shtetit, si dhe masa të forta kundër blerjes së votës dhe keqpërdorimit të administratës publike.

Ky Raport Përfundimtar, i bazuar në mijëra dokumente, pamje filmike dhe dëshmi të drejtpërdrejta, provon se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira, as të ndershme, por një fasadë e organizuar nga shteti me mbështetjen e institucioneve të kapura dhe strukturave kriminale.

Qeveria dhe Partia Socialiste, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, përdorën të gjithë mekanizmin shtetëror për të siguruar pushtetin:

Mbi 4,500 aktivitete shtetërore, përfshirë Giro d’Italia në ditën e zgjedhjeve, në shkelje të moratoriumit elektoral.
Nëpunësit civilë u përdorën si operativë elektoralë të PS-së.
Rrjeti i patronazhit u rikthye si polici politike, duke përdorur të dhënat personale të qytetarëve nga portali e-Albania për t’i survejuar dhe ushtruar presion.
Bonusi prej 100 eurosh për 760,000 pensionistë dhe 300 milionë euro subvencione për fermerët shërbyen si skema të hapura blerjeje votash.
Fshirja e 200 milionë eurove gjoba vetëm dy ditë para votimeve.
Dhënia e licencave për kanabis në 138 zona kadastrale – “kanabis për vota”.
Mbi 1 miliard euro tendera e PPP të paligjshme gjatë periudhës parazgjedhore.
15,000 legalizime pronash dhe 10,000 punësime të paligjshme si shpërblime elektorale.

Ishin të gjitha veprime  që përbëjnë një operacion shtetëror të blerjes së votës, në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe standardeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Kapja kriminale e zgjedhjeve dhe shkelja e standardeve demokratike

Zgjedhjet u dominuan nga mbi 40 grupe kriminale që financuan dhe frikësuan votues në mbështetje të Partisë Socialiste, duke u shpërblyer më pas me kontrata publike, leje ndërtimi dhe resorte turistike. Këto rrjete përfshinin kartele droge si Troplini, Avdyli–Hajri–Çyrbja dhe “Hakmarrja për Drejtësi”, të lidhura me trafik ndërkombëtar dhe figura të larta të qeverisë.

Në të njëjtën kohë, mbi 90% e mediave shqiptare janë nën kontrollin e qeverisë. Katër grupet më të mëdha televizive zotërojnë 87% të audiencës, ndërsa televizioni opozitar Syri TV ka vetëm 1.7% të tregut. Mbyllja e TikTok-ut në mars 2025 u përdor për të kufizuar fushatën opozitare, në shkelje të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik.

Dita e zgjedhjeve u karakterizua nga frikësim sistematik, blerje votash (100–500 euro), manipulim të pajisjeve biometrike dhe zhdukje të kutive të votimit. Patronazhistët vepruan si polici politike, ndërsa institucionet si KQZ, SPAK dhe gjykatat injoruan shkeljet e dokumentuara. Ky operacion i koordinuar ka cenuar rëndë legjitimitetin juridik dhe moral të procesit zgjedhor.

Votimi i diasporës

Votimi për herë të parë i diasporës shqiptare u manipulua në shkallë masive. Nga 340,000 të regjistruar, rreth 100,000 u përjashtuan ose nuk morën fletët e votimit. Procesi u devijua në shkelje të kontratës DHL–KQZ, me përdorim të subkontraktorëve të paligjshëm. Blerja e votës në Greqi dhe Itali u zhvillua hapur, ndërsa ambasadat shqiptare u përfshinë në rrjetin e patronazhit të PS-së. Në qarqe si Fier, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, PS mori 93–97% të votave — rezultate tipike të regjimeve totalitare.

Votimi i diasporës nuk ishte as i lirë, as sekret, as i drejtë, por një proces i kontrolluar nga qeveria.

Shkelje të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 shkelën Kushtetutën e Shqipërisë, Dokumentin e Kopenhagenit të OSBE-së, udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it, si dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Keqpërdorimi i shtetit, blerja masive e votës, përfshirja e grupeve kriminale, kontrolli i medias dhe manipulimi i votës së diasporës e kanë kthyer procesin në një farsë elektorale, duke konfirmuar kapjen autoritare të shtetit nën regjimin e Edi Ramës.

Unë e di që rrjeshtimi i thatë dhe dëgjimi në radhë i gjithë këtyre shkeljeve, secila prej tyre e rëndë sa për të përmbysur zgjedhjet në çdo vend demokratik, rrezikon që në rastin më të mirë të prishi atmosferën e tryezave të tilla ku zakonisht vendet në proces anëtarësimi preferojnë të shpalosin arritje, dhe në rastin më të keq që shkeljet e rënda të zgjedhjeve të shndërrohen në statistikë boshe.

Por unë nuk mund të rri pa vënë theksin në to, pasi këto problematika të rënda zgjedhore cënojnë pa kthim legjitimitetin juridik dhe moral që duhet të kenë institucionet që dalin nga zgjedhjet, siç është dhe ky parlament.

Një aspekt tjetër, i fundit që dua të nënvizoj, është se ne si opozitë kemi pranuar të marrim pjesë në një garë zgjedhore ku rregullat e garës na i ka diktuar maxhoranca, kundërshtari ynë politik, nëpërmjet ndryshimeve të njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të korrikut dhe shtatorit 2020. Në mënyrë të njëanshme dhe nëpërmjet votave të blera në parlament, maxhoranca ndryshoi sistemin zgjedhor duke na penguar garimin nëpërmjet koalicioneve parazgjedhore.

Nëse gara zgjedhore do të mbahej me rregullat e sanksionuara në Kushtetutë dhe të miratuara nga të dyja palët, pozitë–opozitë, rezultati zgjedhor i viteve të fundit tregon se rotacioni politik normal, ai me votë, do të kishte ndodhur prej kohësh.

Fatkeqësisht, asgjë nuk ka ndryshuar për mirë në procesin zgjedhor, qysh kur opozita me të drejtë artikulonte nevojën për një qeveri teknike kujdestare zgjedhjesh, si në Maqedoni, dhe rikthimin e koalicioneve parazgjedhore si një parakusht minimal — por jo i vetmi — për të mbajtur zgjedhje normale në një vend kandidat për anëtarësim.

Sot këto kërkesa mbeten më shumë se kurrë aktuale dhe një bazë e mirë nga ku së bashku mund të nisim punën për të rregulluar atë “fushën e pabarabartë të lojës” që ODIHR konsideron problemin më të rëndë të zgjedhjeve në Shqipëri.

Të nderuar eurodeputetë,

Shqipëria është pjesë e familjes europiane.
Çdo rrëshqitje demokratike në vendin tonë kërcënon stabilitetin rajonal dhe sigurinë e vetë Europës.
Nëse Europa nuk vepron tani, Shqipëria do të rrëshqasë drejt totalitarizmit.