Shqipëria dhe Kosova në konkurrencë, talenti i Bajernit takohet me Dukën e Fodën

Shqipëria dhe Kosova po tentojnë të marrin në gjirin e tyre sulmuesin e talentuar të Bajern Mynihut, Ylli Gashi.

Sulmuesi 17-vjeçar që aktivizohet me të rinjtë e Bajernit, aty ku po shkëlqen duke shënuar gola në mënyrë të vazhdueshme.

Në Gjermani, Gashin e kosndierojnë si një makineri golash dhe futbollist me një të ardhme të ndritur.

Për këtë, Shqipëria dhe Kosova po synojnë të sigurojnë shërbimet e tij.

“Bild” raporton se së fundmi, ka qenë trajneri i Kosovës, Franko Foda, ai që është takuar me futbollistin për ta bindur që të luajë për “dardanët”.

Por, as Shqipëria nuk ka qëndruar duarkryq duke qenë se edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka pasur një takim me futbollistin e Bajernit.

Ditët në vijim, pritet që të shihet se çfarë do të ndodhë me lojtarin, nëse do të vendosë të luajë për Shqipërinë apo Kosovën.

Aktualisht, ai luan me të rinjtë e Gjermanisë. Statistikat e Gashit me të rinjtë e Bajernit janë të pabesueshme. Te kampionët e Gjermanisë, Gashi është shndërruar në një “makinë golash”.

Në tri vitet e fundit, ai ka realizuar 39 gola dhe 13 asiste në 54 ndeshje me ekipet U17 dhe U19 të Bayernit.

Në total, që nga mosha U15, ai ka mbi 100 gola të shënuar për klubin bavarez, përfshirë ndeshjet miqësore.

Kohët e fundit, talenti shqiptar po stërvitet me ekipin A.