Naftëtarët e 'Bankers Petroleum' në ditën e 15-të të protestës: Nëse nuk ka zgjidhje, grevë urie para Kryeministrisë

Naftëtarët e Sindikatës së Hidrokarbureve rikthehen sërish në terren, këtë herë para zyrave qendrore të Bankers Petroleum në Fier, në ditën e 15-të të protestës së tyre. Rreth 150 punonjës, së bashku me 7 grevistë të urisë, marshuan me pankarta në duar ku shkruhej “Jo diskriminimit në paga” dhe “Punë me dinjitet”.

Në tubim morën fjalën Dritan Shaho, kryetar i Sindikatës, dhe Dritan Rrapushi, një nga grevistët e urisë.

Ata kërkuan stabilizim të pagave, meritokraci në ngritjet në detyrë dhe njohje të statusit të naftëtarit, ndërsa paralajmëruan përshkallëzim të protestës nëse nuk ka zgjidhje.

Protestës iu bashkuan edhe familjarët e punëtorëve, madje edhe fëmijë me pankarta në duar.

LEXO EDHE: Marinëz, greva e urisë e naftëtarëve hyn në ditën e 13-të: Drejtësi për punën dhe dinjitetin

Disa protestues denoncuan presione dhe intimidime nga menaxherët e kompanisë ndaj punonjësve dhe familjeve të tyre.

Thirrjet për ndërhyrje dhe zgjidhje urgjente

Ndërsa situata shëndetësore e grevistëve përkeqësohet, përfaqësuesit e tyre kanë bërë thirrje të forta për ndërhyrje nga qeveria shqiptare. Ata kërkojnë që institucionet të ndërmjetësojnë me kompaninë në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e drejtë për problemet e tyre.

“Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë protestën deri në përmbushjen e kërkesave tona, por shëndeti ynë po rrezikohet seriozisht. Shpresojmë që institucionet të reagojnë para se të jetë vonë,” tha një përfaqësues i grevistëve.

LEXO EDHE: 'Kompania Bankers' i merr tokën, e përdor për vete dhe refuzon të paguajë, Qytetari: Do bashkohem me grevën e urisë, kërkoj të drejtën time

Kërkesat e naftëtarëve drejtuar kompanisë Bankers

1- Rritja e fondit te pagave me 18% kjo shume te shpërndahet për punonjësit e fushës.

2 - Arritja e trajtimit ushqimor nga 9 mijë lekë ne 13 e 200 lekë.

3- Zbatimi i ligjit te statusit te naftëtarit.

4- Drejtësi e barazi në shpërblime.

5-  Meritokraci në rritje në detyrë e pronovime

LEXO EDHE: 'Naftëtarët e Marinzës në ditën e 11-të të grevës': Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë, kërkojnë zgjidhje urgjente nga shteti dhe kompania

Naftëtarët janë të vendosur të mos ndalen deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. Ata paralajmërojnë se, nëse qeveria nuk ndërhyn si ndërmjetëse dhe kompania nuk ofron zgjidhje, greva e urisë do të zhvendoset para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, duke ngritur akoma më shumë presion mbi institucionet shtetërore dhe menaxhmentin e kompanisë.