'Institucionet pa fuqi reale'/ Çoçoli: Abuzimet në treg nuk zbulohen me letra por në celularët e CEO-ve

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli, foli mbi strukturat rregullatore aktuale në Shqipëri të cilat i përshkruan si 'priftërinj pa mjekër', institucione që kanë titullin, por u mungojnë mjetet dhe 'dhëmbët e mprehur' për të luftuar abuzimet në treg.

Sipas Çoçolit, në kohët moderne, kartelet dhe marrëveshjet e fshehta nuk formalizohen më në dokumente, por koordinohen nëpërmjet mjeteve diskrete si telefonat celularë. Kjo e bën hetimin tradicional, të bazuar në kontrollin e letrave, plotësisht të paefektshëm.

Për Çoçolin, propozimi është radikal: krijimi i një 'SPAK-u për ekonominë'. Një strukturë e tillë do të kishte autorizimin ligjor për të përdorur teknika moderne hetimore, përfshirë përgjimin, për të zbuluar dhe goditur praktikat abuzive në sektorë kyçë si telekomunikacioni apo karburantet.

'Pa këtë hap përpara, institucionet aktuale do të mbeten vetëm një shpenzim buxhetor'- u shpreh Çoçoli,  pa asnjë dobi për qytetarët, ndërsa tregu vazhdon të deformohet nga oligopolet.

Çoçoli:

Atëherë, këto lloj strukturash që duhet të kontrollojnë tregjet tona janë në atë pozicionin që themi neve, 'më bëre prift po më ke ruajtur mjekrën.'

Ku e kam fjalën? Sot, mënyrat moderne të hetimit të tregjeve i përngjajnë shumë hetimit të kriminalitetit. Pra, survejohen, sidomos nëpërmjet, mjedisit të punës që ka sot çdo funksionar, qoftë publik, po qoftë edhe privat, që është telefoni celular, telefoni inteligjent.

Është e pamundur të gjesh, zhbirosh, praktika abuzive në treg dhe tregjet tona i kemi shumë abuzive. Unë ndoshta me atë cilësimin batutë tënden që s'kemi konkurrencë fare, do të thoja që kemi konkurrencë, po e kemi shumë të deformuar. Dhe këtë deformim,  këto institucione që neve ja u kemi ruajtur mjekrën, e kanë pothuajse të pamundur t'i gjejnë. Sado që ndoshta edhe përpiqen. Plus pastaj problematikave që kemi me ndërhyrjet politike e me radhë. Por kryesorja e kryesorëve, këto nuk i kanë dhëmbët, nuk i kanë dhëmbët e mprehur për të goditur.

Unë po të them një rast që u bë emblematik në Italinë fqinje, po Italia është ai shtet që është me një inspektor të Guardia di Finanza që futi, e çoi për ndjekje penale për një batutë, për një batutë në celularin e tij, sepse e hetonte prej disa muajsh me celular. Një batutë të një, CEO-je të një kompanie të famshme të tregut të karburanteve në Itali. Ajo batutë doli që kishte të bënte shumë me krijimin e çfarë, atyre karteleve që kemi folur, marrëveshjeve të fshehta. Sepse kur i thua kartel, kur i thua marrëveshje të fshehtë, për shembull, kompanitë celulare këtu ke ne duopol kemi, duam si duam ashtu do t'i quajmë, se dy kompani janë.

Por si bien dakord ato për të mbajtur çmimet abuzivisht të larta. Po ashtu, oligopol kemi edhe në tregun që përmendi parafolësi me të drejtë, tregjet agro-ushqimore, që i kemi shumë, shumë të larta në krahasim me, si të thuash, fuqinë blerëse tonën, të krahasueshme me tregje të ngjashme në, në Kosovë, qumështi për shembull, apo në Maqedoninë e Veriut. Në këtë kuptim, s'kemi ça të presim. S'kemi ça të presim sepse këto, priftërinj pa mjekër, neve nuk na shërbejnë dot.

Pse? E para, kur shkojnë për të kontrollojnë, shohin dokumentacionet. Po sot bota e abuzimit është bërë mjeshtre për të kopësuar dokumentat dhe s'gjen gjë ke dokumentat. As ke raportimet e kompanive në QKR, duhet të gjeni se s'bën aty ku çdo CEO i kompanive abuzuese vepron realisht ku? Tek celulari i vet. Në këtë kuptim është shumë e drejtë kërkesa që më bëj mua një SPAK të tregut ushqimor, më bëj një SPAK të telefonisë celulare. Ndryshe, kot që harxhojnë paratë e taksave tona i dashur Flavio.